Kreu i ILD raporton në Kuvend, Artur Metani: Sistemi gjyqësor po përballet me mungesa serioze dhe ngarkesë të lartë

Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, paraqiti sot në Kuvend raportin vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2024, ku theksoi se sistemi gjyqësor shqiptar po përballet me sfida të mëdha që lidhen me ngarkesën e tepërt të gjyqtarëve, mungesën e burimeve njerëzore dhe vonesat në proceset gjyqësore.

Sipas Metanit, gjatë vitit të kaluar ILD trajtoi 2854 ankesa, nga të cilat 1374 u shqyrtuan dhe 54 përfunduan me hetim disiplinor. Në total, 11 magjistratë – 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë – janë proceduar disiplinarisht me masa që variojnë nga shkarkimi nga detyra deri te vërejtja konfidenciale.

“Ngarkesa e magjistratëve në Gjykatën e Tiranës është jashtëzakonisht e lartë. Vetëm në vitin 2023, një gjyqtar ka trajtuar mesatarisht 1176 çështje, ndërsa mesatarja kombëtare është 841. Nga 80 gjyqtarë të parashikuar në organikë, vetëm 43 kanë ushtruar detyrën gjatë vitit,” – theksoi Metani.

Ai paralajmëroi se mungesat në sistem po ndikojnë drejtpërdrejt në zvarritjen e gjykimeve dhe në cilësinë e vendimmarrjes. Vetëm në vitin 2024, ILD ka hapur 51 hetime disiplinore për vonesa të pajustifikuara dhe ka kërkuar procedim disiplinor për 17 magjistratë, mes tyre 8 gjyqtarë dhe 9 prokurorë.

Në fund të fjalës së tij, Metani u bëri thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve të drejtësisë që të marrin masa për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe forcimin e efikasitetit të gjykatave, me qëllim shmangien e mbingarkesës dhe garantimin e funksionimit normal të sistemit gjyqësor.


Shtuar 27.10.2025 23:35