Ekzekutoi gjyqtarin Astrit Kalaja/ Gjykata e Apelit merr vendimin për Elvis Shkambin, xhaxhain dhe rojen e sigurisë

Këtë të hënë 27 Tetor 2025, Gjykata e Apelit, ka dhënë vendimin për Gjon Shkambin, xhaxhain e Elvis Shkambit, i dyshuar si vrasësi i gjyqtarit Astrit Kalaja, si edhe rojen e sigurisë, Banush Koxhaj, të cilët kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Në përfundim të seancës, togat e zeza lanë në fuqi masën e caktuar ndaj tyre nga Shkalla e Parë, duke lënë pas hekurave Gjon Shkambin dhe Banush Koxhaj.

“Në përfundim të gjykimit, sot më datë 27.10.2025, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar Z. Genti Shala, vendosi:

Miratimin e vendimit nr .2774 Regj, datë 09.10.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, thuhet në vendim.

Krimi ndodhi më 06 tetor 2025, rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor.

30-vjeçari Elvis Shkambi (palë në proces), dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit Astrit Kalaja dhe shtetasve Ragip e Ervis Kurtaj, baba e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë humbi jetën gjyqtari i Apelit dhe mbetën të plagosur baba e bir.

VENDIMI I PLOTË:

Në gjykatën e Apelit, sot u gjykua çështja penale (masë sigurimi) që i përket ngjarjes së ndodhur me datë 06.10.2025, rreth orës 15:40, ku në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K dhe shtetasve R. K dhe E. K, atë e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë ka humbur jetën gjyqtari A. K dhe janë plagosur shtetasit R. K dhe E. K.

Mbi kërkesën e Prokurorisë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj:

– personit nën hetim me iniciale E. Sh, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasjes së funksionarëve publikë”, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe të municionit”, parashikuar nga nenet 79/a, 79 germa “ç”, 25, 22 dhe 278/1 të Kodit Penal.

– personit nën hetim me iniciale Gj. Sh, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79 germa “ç”, 25, 22 i Kodit Penal.

-personit nën hetim me iniciale B. K, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.


Shtuar 27.10.2025 11:11