Ndërsa dosja “Partizani” është në proces gjyqësor, aksioni juridik i palës së akuzuar nuk është ndërprerë në kërkim të rrëzimit të SPAK-ut.
Argita dhe Jamarbër Malltezi, respektivisht vajza dhe dhëndri i kreut të Partisë Demokratike, ish-kryeministrit Sali Berisha, kërkojnë lirim të 25 pasurive të sekuestruara nga SPAK prej dy vitesh.
Ata kanë depozituar një kërkesë në GJKKO për këtë çështje.
Në muajin mars ishte Gjykata Kushtetuese që pas shqyrtimit të ankimimit rrëzoi padinë e bashkëshortëve Jamarbër dhe Argita Malltezi, që në nëntor 2024 i kërkuan kthimin e 25 pasurive të bllokuara për shkak të dosjes ‘Partizani’.
Gjykata ka vendosur të mos e zbresë në seancë plenare çështjen, duke lënë kështu të ngrira 16 pasuri të paluajtshme, gjashtë llogari në emër të Malltezit dhe aksionet e shoqërisë Home Plan.
Më herët kishte qenë Gjykata e Lartë dhe Apeli i GJKKO që kishin lënë të pandryshuar vendimin.
Në vitin 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me kërkesë të SPAK, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 25 pasuri të paluajtshme në pronësi të tij dhe bashkëshortes, Argita Malltezi, mes tyre 6 llogari bankare.
Përveç apartamenteve dhe një vile, janë sekuestruar ndër të tjera dhe tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve.