Tifozi godet gjyqtarin me gotë, ndërpritet ndeshja e kampionatit në Belgjikë

Të premten në mbrëmje, një ngjarje e rëndë tronditi futbollin belg kur ndeshja mes Standard Liège dhe Royal Antwerp në Stade Maurice Dufrasne u ndërpre në minutën e 87-të, pasi gjyqtari Lothar D’Hondt u godit nga një gotë e hedhur nga tribuna.

Standard Liège, kaloi në epërsi që në minutën e parë me golin e Rafik Said, por situata u vështirësua për vendasit kur Adnane Abid u ndëshkua me të kuq para përfundimit të pjesës së parë, duke i lënë me 10 lojtarë.

Teksa Antwerp shtonte presionin për të barazuar, në minutën e 87-të, gjatë një situate loje të ndërprerë, gjyqtari Lothar D’Hondt (31-vjeç) qëndronte pranë vijës anësore kur një gotë u hodh nga tribuna, duke e goditur atë në shpinë dhe më pas duke u përplasur në krahun e mesfushorit të Standardit, Tobias Mohr.

Pa hezitim, D’Hondt ndaloi menjëherë ndeshjen dhe u drejtua nga tuneli, duke sinjalizuar për përfundimin e takimit.

Ngjarja shkaktoi zemërim dhe zhgënjim në të dy kampet: Lojtarët e Antwerp, të cilët po kërkonin me ngulm golin e barazimit, reaguan me protesta të ashpra.

Futbollistët e Standard, të cilët kishin mbrojtur rezultatin me një lojtar më pak për më shumë se një pjesë loje, u shfaqën të shkatërruar.

Mbrojtësi Ibe Hautekiet u ul në gjunjë me duart në kokë, ndërsa portieri Matthieu Epolo dhe Mohr u kthyen të zemëruar nga tifozët e tyre, të revoltuar ndaj atij që shkaktoi incidentin.

Sipas rregullores së vendosur nga liga belge në vitin 2022, ndeshja do të rinisë të hënën në orën 15:00, pa praninë e tifozëve, duke vijuar nga minuta e 87-të dhe me rezultatin ekzistues në favor të Standard.

Klubi i Standard, konfirmoi përmes një deklarate të shkurtër se autori i veprimit të papërgjegjshëm është identifikuar: “Tifozi që hodhi gotën ndaj gjyqtarit është identifikuar dhe ndaj tij do të ndërmerren procedura ligjore për ndalim hyrjeje në stadium, si dhe veprime për kompensim të dëmit”.


Shtuar 18.10.2025 15:08