Mesfushori Juljan Shehu, është kthyer në protagonist te skuadra jonë Kombëtare, duke luajtur titullar në çdo ndeshje si në miqësore, ashtu edhe në zyrtare.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori që aktivizohet në kampionatin polak, u shpreh se nuk e priste një fillim të tillë si kuqezi, teksa foli edhe për skuadrën dhe fitoren ndaj Jordanisë, ku kuqezinjtë arritën të fitonin 4- 2.
5 fitore dhe 2 barazime, por sërish ka kritika. Si e vlerëson paraqitjen e Kombëtares?
Unë mendoj se po bëjmë shumë mirë. Ekipi është në formë të mirë. Në ndeshjet e fundit kemi bërë detyrën tonë, kemi marrë tre pikët dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu. Për mua gjithçka është në rregull.
A besoni realisht në shanset për një vend në Botëror?
Po, besoj se po. Besoj se po dhe realisht të gjithë besojmë. Gjithë ekipi, jo vetëm unë, sepse për këtë punë po japim maksimumin dhe po luftojmë çdo ndeshje për të marrë maksimumin, dhe shpresojmë që të arrijmë atë ëndrrën që ne kemi.