Reperi i njohur kosovar Capital T, i cili pak ditë më parë pati një bisedë telefonike me një efektiv policie nga Shqipëria, ku i kërkohej që të paraqitej pasi të kthehej nga Shtetet e Bashkuara, ka reaguar përmes një videomesazhi, duke shprehur mbështetjen për protestat studentore.
Në mesazhin e tij, artisti thekson se pamjet e ndodhura nuk mund t’i kalonte në heshtje, duke nënvizuar se mirëqenia e popullit të tij është më e rëndësishme se çdo angazhim profesional.
Të lidhura
None found
Po ashtu ai tha se ndihet tepër i prekur nga situata dhe se nuk mund të vazhdojë aktivitetin e tij muzikor, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
“Qysh po mendojnë që me i pa ato skena të ndodhura dhe të mos reagoj. Normal që këna me reagu dhe absolutisht jam në suport të studentëve dhe njerëzve të mi për cdo kauzë që ka të bëjë për të drejtat e tyre. Na dhemb zemra ta shikojmë Shqipërinë në këtë lloj gjendje dhe njerëzit e mi që mua më kanë përkrahur ma kanë dhënë këtë dashuri. Nuk kam kurrfarë llogari të bërë kur vjen puna për këta njerëz, nuk ekziston asgjë më e madhe sesa mirëqenia e populli tim. S’mund as me bo muzikë, as me publiko këngë, as me bo koncerte derisa unë shoh ato skena dhe normal që do reagoj. Nuk ka kurrgjë që mund me më ndaj”, shprehet Capital T.
Teksa uron që zëri i studentëve të dëgjohet, këngëtari nga Kosova thotë se mbështetjen nuk e bën për falënderim apo për protagonizëm, por se mbështet çdo shqetësim për padrejtësi.
“Uroj që zëri i studentëve do të dëgjohet, uroj që të ndërpritet kjo dhunë e shkatërrim dhe dijeni që mua më keni përkrah. Unë e kam treguar në shumë etapa dhe nuk dua falënderim dhe as protagonizëm. Unë jam thjesht një prej juve dhe për këtë sende do të jem aty, për çdo padrejtësi”, shprehet ai.







