Ky është momenti kur kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, ka firmosur Marrëveshjen e Paqes për Gazën. Samiti i Paqes po mbahet në Egjipt, ku janë të pranishëm edhe të paktën 20 krerë shtetesh.
Presidenti i SHBA, Donald Trump ishte i pari që firmosi këtë marrëveshje, të udhëhequr prej tij sipas Planit të Paqes që u hartua nga SHBA.
Më pas firmosja e marrëveshjes së paqes që i jep fund luftës në Lindjen e Mesme vijoi nga liderët e tjerë të shteteve. Dokumenti i Marrëveshjes së Paqes në Gaza u nënshkrua edhe nga Turqia, Katari dhe Egjipti.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, pasi e nënshkroi, tha: “U deshën 3,000 vite për të arritur në këtë pikë, a mund ta besoni? Dhe do të qëndrojë kështu”.
Trump falenderon edhe liderët e tjerë për mbështetjen e treguar gjatë negociatave për armëpushimin.
“Të gjithë janë të lumtur”, thotë ai, duke thënë se ka bërë “marrëveshje të mëdha më parë”, por këtë të fundit e konsidero si një “anije kozmike” për shkak të peshës dhe rëndësisë që ka.
Trump deklaroi se më parë kishte pasur parashikime që pretendonin se Lufta e Tretë Botërore do të fillonte në Lindjen e Mesme, duke shtuar se “kjo nuk do të ndodhë”.