Jepet Çmimi Nobel për Paqe, fiton María Corina Machado! Promovoi të drejtat demokratike për popullin e Venezuelës

María Corina Machado, një nga figurat më të njohura të opozitës në Venezuelë, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqen 2025.

Lajmi është bërë publik nga Komiteti i Nobelit, duke vlerësuar rolin e saj të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave demokratike në një nga vendet më të goditura nga autoritarizmi në Amerikën Latine.

Machado ndodhet e fshehur brenda territorit të Venezuelës, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, që u konsideruan gjerësisht të manipuluara dhe të fituara padrejtësisht nga presidenti aktual, Nicolás Maduro.

Në deklaratën zyrtare, Komiteti Nobel shtoi:

“Machado nderohet për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për luftën e saj për një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura drejt demokracisë”.

Fitorja e saj në këtë garë të rëndësishme ndërkombëtare, vjen ndërkohë që presidenti amerikan Donald Trump, kishte shprehur në mënyrë të përsëritur ambicien për të fituar Çmimin Nobel për Paqen.

Trump kishte pretenduar se meritonte vlerësimin për rolin e tij në zgjidhjen e disa konflikteve ndërkombëtare, duke përfshirë përpjekjet e fundit për një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Palestinës.


Shtuar 10.10.2025 11:20