Në minutën e 63-të, ai zëvendësoi Himenezin dhe menjëherë pati mundësinë të ndryshonte fatin e ndeshjes, por nga tre metra larg portës e dërgoi topin jashtë pas një asisti perfekt nga Pulisiç. Në minutat shtesë, pas një pasimi të bukur nga Modriç, Leao gaboi sërish, duke e goditur topin drejt portierit kundërshtar.
Këto momente e kanë vënë sulmuesin nën qendër të kritikave. Në rrjetet sociale, tifozët e Milanit kanë shpërthyer, duke e akuzuar për mungesë përqendrimi dhe përkushtimi. “Ka talent të jashtëzakonshëm, por nuk po e shfrytëzon. Duket i shpërqendruar, më shumë i përqendruar te Twitch sesa te futbolli,” shkruajnë disa ndjekës.
Masimiliano Alegri, nga ana e tij, e ka mbrojtur pjesërisht lojtarin, por ka pranuar se diçka duhet të ndryshojë. “Leao është një lojtar i jashtëzakonshëm, por tani duhet të tregojë vazhdimësi. Në këtë nivel, talenti nuk mjafton, kërkohet përkushtim total,” ka deklaruar trajneri kuqezi. Edhe pse sezoni është ende në fillim, presioni mbi portugezin po rritet.
Me Pulisiç që është bërë një titullar i padiskutueshëm dhe me konkurrencën që shtohet, Leao duhet të japë një përgjigje të fortë në fushë. Ndeshjet e ardhshme do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse do të rikthehet në formën e tij më të mirë apo do të humbasë vendin në formacion.
Në një Milan që po kërkon stabilitet dhe efikasitet, Leao mbetet një çelës i rëndësishëm – por vetëm nëse rikthen besimin, qetësinë dhe dëshirën për të vendosur. Përndryshe, zhgënjimi i tifozëve mund të kthehet në një barrë edhe më të rëndë sesa rastet e humbura para portës. /PANORAMASPORT.AL