Banka e Shqipërisë po përgatit ndërhyrjen e radhës në komisionet e pagesave, që pritet të nxisë më shumë pagesat me kartë në ekonominë shqiptare.
Një nga arsyet që frenon bizneset, sidomos ato më të vogla, për të pranuar pagesa me kartë është edhe kosto e transaksionit. Kjo kosto është e ndryshueshme, por mund të arrijë deri në intervalin 2.5%-3%.
Edhe për këtë arsye, shumë biznese të vogla nuk kanë shumë dëshirë të pranojnë pagesa me kartë, megjithëse mund të disponojnë terminale POS për këtë qëllim. Në rastet kur klienti këmbëngul për këtë alternativë, shpesh bizneset ia ngarkojnë atij komisionin e pagesës, duke ia shtuar çmimit të produktit ose shërbimit.
Në një masë të madhe, vlera totale e komisionit përcaktohet nga tarifat e skemave të pagesave me kartë, kryesisht Visa dhe Mastercard.
Në vitin 2015, Komisioni Europian vendosi nën rregullim këto tarifa (interchange fees), duke përcaktuar një nivel maksimal prej 0.2% për pagesat me kartë debiti dhe 0.3% për pagesat me kartë krediti.
Banka e Shqipërisë ka vendosur të adoptojë këtë rregullore, si pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian.
Vendosja e limiteve mbi këtë element të kostos pritet të sjellë një ulje të ndjeshme të komisionit total që paguajnë tregtarët për shitjet me kartë. Banka e Shqipërisë vlerëson se komisionet do të ulen në nivelin e 1% të transaksionit.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të ndalojë praktikën e përcjelljes së komisioneve nga tregtarët te klientët që kryejnë blerje me kartë.
Ulja e komisioneve për pranimin e pagesave me kartë pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në përdorimin e cash për transaksionet ekonomike.
Një akses më i gjerë në pagesat me kartë gjithashtu do të lehtësonte pagesat sidomos nga turistët e huaj, që shpesh detyrohen të përdorin tërheqjet cash në ATM-të e zonave turistike, shërbim ky që për nga natyra e vet është i kushtueshëm.
BSH do të ulët tarifat që aplikojnë Visa dhe Mastercard
Valentina Semi, zëvendësdrejtore e Departamentit të Pagesave në Bankën e Shqipërisë, shpjegon se Banka Qendrore po ndërhyn për nxitjen e pagesave elektronike në dy dimensione.
“Në radhë të parë, ne kemi krijuar një alternativë, që është përdorimi i transfertave për qëllime të ngjashme si kartat. Ne kemi krijuar open banking, që gjithmonë e më shumë po gjen vende për t’u operacionalizuar.
Me përfshirjen në open banking edhe të bizneseve, do të jetë shumë më e lehtë, qoftë edhe për të kryer blerje direkte të mallrave dhe shërbimeve. Kjo patjetër që përbën konkurrencë për instrumentin e kartave dhe konkurrenca gjithmonë sjell zhvillim.
Nga ana tjetër, ardhja e instant payment do të jetë një revolucion në këtë drejtim. Ne do ta kemi shumë më të lehtë që të përdorim QR Code për pagesa”, shprehet ajo.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka planifikuar edhe një ndërhyrje direkte në komisionet e skemave të pagesës për kartë. Ulja e këtyre komisioneve do të bëjë që në total, komisionet që paguajnë tregtarët të jenë më të ulëta, me qëllim nxitjen e rritjes së mëtejshme të pagesave me kartë.
“Për më shumë, ne do të ndërhyjmë edhe te komisionet që bankat aplikojnë te tregtarët, për atë pjesë të komisionit që ato ndajnë nëpërmjet njëra-tjetrës, pra, atyre që emetojnë kartën dhe atyre që ofrojnë shërbimin e pagesës me POS.
Një pjesë e komisionit që paguan tregtari lidhet me këto komisione. Ne do të vendosim tavane të njëjta me Bashkimin Europian, në nivelin 0.2% për kartat e debitit dhe 0.3% për kartat e kreditit.
Kjo sigurisht që do të reduktojë komisionin final që paguan tregtari. Mendojmë që afërsisht komisioni mund të shkojë në nivelin e 1%, nga rreth 2% që është aktualisht, në rastin më të mirë”, thotë ajo.
Instant payment pritet të sjellë konkurrencë për kartat
Projekti tjetër madhor i Bankës së Shqipërisë në fushën e pagesave është edhe ai instant payments ose i pagesave të shpejta. Ky projekt parashikon klonimin e sistemit të përdorur nga Banka e Italisë, sipas një marrëveshjeje të arritur mes palëve.
“Ne jemi aktualisht në fazën e zhvillimit të sistemit. Zhvillimi i sistemit bëhet nga Banka e Italisë, ndërkohë që ne komunikojmë në vazhdimësi me ta për ato opsione që na lejohen t’i kemi të përzgjedhura.
Ne po marrim një sistem që do të jetë klon i sistemit TIPS, me qëllimin që ne të jemi sa më të integruar në të ardhmen. Po punohet shumë për ta bërë këtë sistem të përdorshëm nga publiku i gjerë dhe në blerje dhe shitje.
Nëse implementojmë vetëm TIPS, ai do të funksionojë si sistemet aktuale, vetëm për transfertat. Ndërkohë, ne po krijojmë disa shërbime shtesë mbi këtë sistem, për ta bërë atë sa më të përdorshëm.
Për shembull, Brazili ka sot një instant payment që përdoret gjerësisht nga publiku i gjerë”, thotë znj. Semi.
Ky sistem jo vetëm do të mundësojë kryerjen e transfertave pothuajse në kohë reale, por do t’u hapë rrugën edhe produkteve të reja, që do të konkurrojnë pagesat me kartë. Ngritja e këtij sistemi do të krijojë hapësira për një përdorim të gjerë të pagesave me QR Code.
“Ideja është të krijojmë një sistem të centralizuar, me një ndërveprim shumë të lehtë. Gjenerimi i QR Code do të jetë i unifikuar, do të jetë një sistem i centralizuar që e gjeneron këtë QR Code dhe mundëson shfaqjen e tij në çdo aplikacion, pavarësisht se cili institucion e përdor.
Me një skanim të thjeshtë, mundësohet kryerja e pagesës për disa sekonda. Gjithashtu, do të mundësojmë verifikimin e pagesës, për të shmangur kryerjen e pagesave të gabuara, sepse në instant payment është pothuajse e pamundur që pagesa të kthehet mbrapsht.
Janë këta komponentë që po krijojmë mbi TIPS, që ky lloj sistemi të përdoret sa më shumë, në formë të ngjashme me kartat”, – shprehet znj. Semi.
Ngritja e sistemit TIPS ka si afat paraprak qershorin e vitit 2026, megjithatë nga puna e deritanishme në Bankën e Shqipërisë mendohet se ky afat mund të jetë pak ambicioz.
Fakti që rishtazi në projekt është futur edhe një vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut, mund të bëjë që këto afate të rishikohen. Procesi është kompleks sepse nuk përfshin vetëm Bankën e Shqipërisë, por kërkon investime dhe zhvillim kapacitetesh edhe për bankat tregtare.
“Jemi duke punuar paralelisht edhe me bankat, sepse kjo do të kërkojë punë edhe nga ana e tyre, për të qenë të gatshme të forcojnë të gjitha facilitetet e nevojshme për të ofruar shërbim 24/7, nga ana teknike dhe operacionale, duke përfshirë edhe elementet e tjera, si AML, antifraud, etj.
Këto do të kërkojnë investime të jashtëzakonshme. Shpresojmë që afërsisht brenda një viti të mund të dalim live. Nuk përjashtojmë që të dalim fillimisht live me bankat që do të jenë të gatshme dhe më të avancuara në proces.
Madje, disa nga bankat më me eksperiencë, po synojnë të aplikojnë edhe për skemën e SEPA instant payment, që do të sjellë revolucion për pagesat nga turistët e huaj, sepse nuk do të jetë më i domosdoshëm përdorimi i kartës, por mund të bëhet një pagesë në kohë reale direkt nga llogaria”, thotë znj. Semi.
Pagesat me kartë “përmbysin” tërheqjet e parasë në ATM
Pagesat me kartë po shënojnë një rritje të shpejtë këtë vit, madje për herë të parë ato kanë kaluar në numër tërheqjet e parasë cash në ATM.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 12.57 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes (POS). Numri i pagesave me kartë është rritur me 42% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Për çdo 100 veprime të kryera me karta pagesash (pa përfshirë veprimet me para elektronike), afërsisht 52 prej tyre ishin pagesa në terminale POS, ndërsa diferenca ishin tërheqje apo depozitime paraje cash.
Vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 48.3 miliardë lekë, me një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të matura në vlerë monetare, pagesat me kartë përbënin 17.4% të totalit të veprimeve me karta, në rritje nga niveli prej 16.3% i vitit të kaluar.
Duke pasur parasysh se periudhat e pikut turistik korrik-gusht shoqërohen me rritje të pagesave me kartë, është e pritshme që vlera e pagesave për gjysmën e dytë të vitit të jetë më e lartë.
Rritja e numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit është ndër faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në Shqipëri.
Përveç ndikimit të ndjeshëm të turizmit, vlerësohet se edhe përdorimi i pagesave me kartë nga rezidentët është në rritje në vitet e fundit, sidomos pas periudhës së pandemisë.
Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me zgjerimin e bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla dhe besohet se sektori i turizmit u ka dhënë një shtysë të konsiderueshme këtyre pagesave.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 27 969, në rritje të mëtejshme me 28.4% krahasuar me mesin e vitit të kaluar.
Një nga operatorët e mëdhenj globalë të pagesave me kartë, Mastercard, këtë vit po e mbështet zgjerimin e pagesave me kartë me një program të shtimit të pajisjeve POS me kushte lehtësuese për bizneset.
Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi.
Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal.
Transfertat me e-banking, falas deri në 40 mijë lekë
Në mesin e muajit shtator, hyri në fuqi një paketë ndryshimesh në rregulloret e sistemeve të pagesave, që ka sjellë ulje të ndjeshme të komisioneve për transfertat kombëtare në Lek dhe në Euro.
Fryma e rregulloreve të reja, përveç uljes së komisioneve për transfertat deri në 10 milionë lekë, forcon më shumë incentivat për kryerjen e pagesave në rrugë elektronike.
Në rregulloren e re “Për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH”, Banka e Shqipërisë ka miratuar ndryshime që parashikojnë që për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AECH, por që janë të iniciuara në formë elektronike, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 40 mijë lekë, nuk duhet të aplikohen komisione.
Më parë, vlera maksimale e përjashtuar nga komisionet për transfertat e kryera në formë elektronike (nëpërmjet shërbimeve të internet banking ose mobile banking) ishte 20 mijë lekë.
Dyfishimi i vlerës së transfertave që përjashtohen nga komisionet bankare e lehtëson më tej kryerjen e pagesave dhe transfertave në vlerë të vogël në ekonominë shqiptare.
Për transfertat mbi 40 mijë lekë, deri në vlerën e 10 milionë lekëve, që kryhen në rrugë elektronike, komisioni maksimal i lejuar parashikohet në nivelin 0.005% të vlerës së transferuar. Për shembull, një transfertë e kryer me e-banking me vlerë 1 milion lekë nuk mund të ngarkohet nga bankat dhe institucionet financiare me një komision më të lartë se 50 lekë.
Ndërsa, për transfertat në formë letër (që kryhen në degë) me vlerë deri në 10 milionë lekë, komisioni maksimal i lejuar do të jetë 0.01%.
Institucioneve të pagesave u lejohet vendosja e një komisioni minimal të shprehur në vlerë absolute, me qëllim mbulimin e kostove për ofrimin e shërbimit.
Kjo vlerë mund të jetë deri në 500 lekë për transfertat në degë dhe 50 lekë për transfertat elektronike (vetëm për ato transferta elektronike që kalojnë vlerën e 40 mijë lekëve).
Në total, komisionet për transfertat kombëtare deri në 10 milionë lekë nuk mund të kalojnë në asnjë rast vlerën e 1 mijë lekëve.
Me rregulloren e mëparshme, transfertat deri në vlerën e 1.5 milionë lekëve kishin një komision tavan deri në 500 lekë për transfertat e kryera në degë dhe 250 lekë për transfertat e kryera me internet banking.
Ndërsa transfertat me vlerë më të lartë se 1.5 milionë lekë kishin një komision tavan deri në 1500 lekë (750 lekë nëpërmjet e-banking).
Përveç uljes së komisioneve, kuadri i ri rregullator u vendos bankave edhe detyrimin që transfertat kombëtare të finalizohen brenda ditës së punës. Me rregulloren e mëparshme, kryerja e transfertave kombëtare mes bankave të ndryshme kishte afat një ditë pune.
Ulen komisionet edhe për transfertat kombëtare në Euro
Ndryshimet në rregulloren “Për funksionimin e sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro”, parashikojnë ulje të nivelit të komisioneve që klientët e sektorit financiar do të paguajnë për kryerjen e transfertave në Euro.
Nivelet maksimale të parashikuara për komisionet e transfertave të brendshme do të jenë të vlefshme edhe për transfertat ndërkombëtare nëpërmjet SEPA.
Rregullorja “Mbi tarifat e pagesave ndërkufitare në zonën SEPA dhe kushtet e transparencës” parashikon që tarifat e aplikuara nga Operatorët e Shërbimeve të Pagesave (banka ose institucione financiare jobanka të pagesave dhe parasë elektronike) për pagesat SEPA dalëse nuk mund të tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë për vlerat korresponduese të pagesave vendase në Euro që procesohen përmes sistemeve të saj dhe përcaktohen në kuadrin rregullator të këtyre sistemeve.
Ashtu siç ndodh me transfertat në Lek, edhe rregullorja për transfertat në Euro do të stimulojë përdorimin e kanaleve elektronike për kryerjen e transfertave, duke parashikuar komisione të përgjysmuara për veprimet që kryhen nëpërmjet këtyre kanaleve.
Komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat kombëtare në monedhën europiane, të kryera nëpërmjet e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro.
Ndërsa totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro, të kryer me e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 0.01% e vlerës së transferuar.
Totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro, e kryer në degë (në formë letër) nuk mund të jetë më i lartë se 0.02% e vlerës së transferuar.
Me rregulloren e mëparshme, komisioni maksimal ishte 10 herë më i lartë, në masën 0.2%.
Gjithashtu, ky komision maksimal ishte i detyrueshëm vetëm për transfertat me vlerë më të ulët, deri në 10 mijë euro; për pagesat më të mëdha se 10 mijë euro, nuk parashikohej një tavan për komisionin në përqindje, por vetëm një komision maksimal në vlerë, pavarësisht shumës së transferuar.
Komisionet maksimale që bankat mund të aplikojnë, pavarësisht shumës së transfertës, propozohen të jenë të njëjta si në rregulloren aktuale, përkatësisht 50 euro për transfertat e kryera në degë dhe 25 euro për ato të nisura nëpërmjet kanaleve elektronike.
Sistemi i pagesave kombëtare AIPS Euro nisi funksionimin në fillim të vitit 2022, me qëllim lehtësimin e kryerjes së transfertave në Euro brenda vendit dhe uljen e kostos të tyre.
Më parë, këto transferta kryheshin nëpërmjet bankave të huaja korrespendente, rrugë që sillte komisione shumë më të larta dhe kohë më të gjatë për finalizimin e transaksionit.
Nga 7 tetori, tarifa të njëjta edhe për transfertat ndërkombëtare
Në 7 tetor, bankat shqiptare do të fillojnë ofrimin e transfertave në sistemet e SEPA, duke bërë më në fund efektive anëtarësimin e vendit tonë në këtë zonë, afërsisht një vit më parë.
Kjo do të sjellë ulje drastike të komisioneve dhe shkurtim të kohës për të kryer transfertat në Euro jashtë vendit.
Si pjesë e paketës rregullatore të pagesave, Banka e Shqipërisë ka reflektuar parimin e SEPA që kostot e transfertave në SEPA nuk mund të jenë më të larta se ato të transfertave kombëtare.
I vetmi ndryshim do të jetë që bankave do t’u lejohet të aplikojnë një komision maksimal për transfertat hyrëse, në vlerën 3 euro për transaksion.
Komisionet e përcaktuara nga Banka e Shqipërisë do të sjellin një ulje të ndjeshme të komisioneve të transfertave ndërkombëtare, por megjithatë pa arritur plotësisht në nivelet minimale që aplikohen në Bashkimin Europian.
Zëvendësdrejtorja e departamentit të sistemeve të pagesave, Valentina Semi, shpjegon arsyet pse komisionet maksimale të lejuara për Shqipërinë lidhen me disa faktorë specifikë.
“Ne jemi përpjekur të ndjekim modelet europiane, por duke u mbështetur edhe në nevojat dhe specifikat e tregut tonë. Së pari, ne kemi edhe një politikë deeuroizimi, që duhet të vazhdojmë ta ndjekim. Edhe për këtë arsye, duhet të ketë një diferencim ndërmjet Lekut dhe Euros, që të mos stimulojmë euroizimin.
Nga ana tjetër, për këtë shërbim bankat kanë kosto, sepse nga pikëpamja teknike, nuk është e njëjta mënyrë se si funksionon në BE. Bankat e BE-së kanë akses direkt në sistemet e pagesave europiane.
Për vendet jo anëtare të BE-së, si Shqipëria, ka një hallkë ndërmjetëse, që po u aplikon bankave komisione shumë të larta. Ne shohim që e njëjta bankë e BE-së, për një bankë të madhe shqiptare ofron komisione shumë të ulëta, ndërsa për një bankë të vogël aplikon komisione shumë të shtrenjta.
Kjo e bën të papërballueshme për bankën e vogël ofrimin e një shërbimi sa më konkurrues. Ne jemi duke punuar edhe me ECB-në për të pasur edhe ndihmën e tyre në këtë drejtim”, thotë znj. Semi.
Vitin e kaluar u kryen gati 11 milionë transferta bankare ndërkombëtare
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar, numri i transfertave ndërkombëtare hyrëse dhe dalëse të kryera nëpërmjet sektorit bankar shqiptar arriti në pothuajse 11 milionë.
Numri i transfertave ndërkombëtare u rrit me 40% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në harkun e një dekade, numri i këtyre transfertave është rritur më shumë se shtatë herë. Në vlerë, ato arritën në afërsisht 1.71 trilionë lekë, me një rritje prej 28% krahasuar me vitin 2023.
Struktura e transfertave ndërkombëtare të kryera në sektorin bankar shqiptar dominohet nga transfertat hyrëse, që në 2024 arritën në pothuajse 8.1 milionë, në rritje me 39.5% krahasuar me vitin 2023. Ato përbënin rreth 74% të totalit të transfertave ndërkombëtare.
Numri i transfertave ndërkombëtare hyrëse ka shënuar nivelin më të lartë historik, ndërkohë që është rritur me pesë herë krahasuar me vitin 2019, përpara pandemisë. Edhe për vitin 2024, rritja ishte mjaft e lartë si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve.
Në total, sipas Bankës së Shqipërisë, transfertat hyrëse nga jashtë në llogaritë bankare të bizneseve dhe individëve arritën vlerën e 782.9 miliardë lekëve, në rritje me 42.7% krahasuar me një vit më parë. Ndryshe nga sa ndodh me transfertat kombëtare, ato ndërkombëtare ngarkohen me komisione edhe në mbërritje.
Sipas rregullave të reja të miratuara nga Banka e Shqipërisë, pas tetorit, nëse banka aplikon komisione për tarifat e pagesave hyrëse SEPA hyrëse, ato duhet të reflektojnë kostot përkatëse të ofruesit të shërbimeve të pagesave dhe në asnjë rast nuk mund të kalojnë vlerën 3 euro për transaksion. Transfertat ndërkombëtare dalëse, sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar arritën në 2.91 milionë, në rritje me 43% krahasuar me vitin 2023.
Në vlerë, ato arritën shifrën e 924 miliardë lekëve, 17% më shumë krahasuar me një vit më parë. Aktualisht, transfertat ndërkombëtare kryhen nëpërmjet rrjetit të bankave korrespondente të bankave shqiptare. Kjo zgjidhje rezulton me komisione të larta dhe afate disaditore për kryerjen e transfertave.
Pas muajit tetor, edhe komisionet ndërkombëtare që do të kryhen nëpërmjet sistemeve të SEPA do të jenë subjekt i niveleve maksimale të komisioneve, të vendosura nga Banka e Shqipërisë për transfertat kombëtare në Euro./MONITOR