Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për të shfuqizuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj gazetarit Elton Qyno, masë e cila u caktua më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me kërkesë të SPAK.
Ndonëse Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Shkallës së Parë kanë referuar një sërë komunikimesh telefonike të përgjimeve mes të dyshuarve si pjesë e një organizate kriminale, në të cilat përmendet edhe emri i gazetarit Qyno, këto prova nuk janë të mjaftueshme për të ngritur dyshime të arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale apo ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij si gazetar.
Gjykata e Apelit ka argumentuar se artikujt e publikuar nuk ishin në kundërshtim me detyrimet e profesionit dhe i shërbenin interesit publik. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë mbështeti këtë qëndrim, duke vlerësuar se provat nuk mjaftojnë për të vendosur një masë sigurimi personal.
Sipas vendimit, në rastin e lajmeve të cituara nga prokuroria e të referuara nga gjykata, nuk ka një analizë të mirëfilltë nëse gazetari Elton Qyno ka ndërhyrë në këto lajme, ka publikuar të dhëna jo të vërteta apo nëse pas marrjes së ndonjë përfitimi të parregullt siç pretendon akuza, lajmi është fshirë apo është ndryshuar pjesërisht apo tërësisht.