I morën ryshfet biznesmenit për të mos i vendosur gjobë, SPAK arreston dy inspektorët e ISHTI-së

Dy inspektorë të “Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial” janë ndaluar nga Policia pas hetimeve të kryera nga SPAK-u, të cilat zbuluan se ata ishin të përfshirë në një skemë korrupsioni.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, është vërtetuar se inspektorët me inicialet O.J dhe L.S kanë marrë para në formë ryshfeti nga një biznes në Korçë, për të mos i vënë gjobë subjektit privat në pronësi të shtetasit me inicialet J.S.
Nga hetimet deklarohet se inspektorët kanë marrë 900 mijë lekë dhe 10 mijë dollarë, që në vitin 2021, pasi dy inspektorët kishin zbuluar se subjekti ishte pa licencë dhe dokumentacion tekniko-ligjor.

Për inspektorin O.J është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa për inspektorin tjetër L.S është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.


Shtuar 28.09.2025 21:13