Zbardhet programi qeverisës “Rama 4”: Pensioni minimal 200 euro dhe ai mesatar 400 euro deri në 2029-ën

Ditën e nesërme (18 Shtator 2025), në seancën parlamentare në Kuvend, do të prezantohet programi qeverisës “Rama 4”.

Në programin qeverisë, premtohet që deri në fund të vitit 2029, të garantohet pensioni mesatar prej rreth 400 euro për kontribuesit e plotë dhe pensioni minimal t ëe shkojë deri në 200 euro.

“Punët tona: Të garantohet deri në fund të vitit 2029 pension mesatar prej rreth 400 euro për kontribuesit e plotë dhe pension minimal 200 euro, si pjesë e paketës së mbrojtjes sociale”, thuhet ne programin që pritet të lexohet të enjten në parlament nga Edi Rama.

Gjithashtu, kërkohet ulja e informalitetit në tregun e punës përmes nxitjes së deklarimit të pagave reale për të rritur bazën e kontributeve.

Pjesë nga programi qeverisës për pensionet:

Të garantojmë pensione dinjitoze dhe financiarisht të qëndrueshme, të përafruara me standardet e BE-së dhe ILO-s, përmes rritjes graduale të përfitimeve, rritjes së bazës kontribuuese, digjitalizimit të plotë të sigurimeve shoqërore dhe mekanizmave të rinj të investimit për skemën e pensioneve.

c) Punët Tona Përpara

Të garantohet deri në fund të vitit 2029 pension mesatar prej rreth 400 euro për kontribuesit e plotë dhe pension minimal 200 euro, si pjesë e paketës së mbrojtjes sociale.

Digjitalizimi i plotë i sistemit të sigurimeve shoqërore (Regjistër elektronik, shërbime online end-to-end), për transparencë dhe gjurmueshmëri.

Ulja e informalitetit në tregun e punës përmes nxitjes së deklarimit të pagave reale dhe këshillimit sistematik të punëdhënësve/punëmarrësve, për të rritur bazën e kontributeve.
Përdorim sistematik i bonuseve sipas zhvillimeve ekonomike.

Pensionet do të mbulojnë rreth 40% të të ardhurave të fituara gjatë viteve të punës, deri në vitin 2030 në përputhje me standardet europiane/ILO.

Portabilitet ndërkufitar i përfitimeve: përfundimi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të njohjes së ndërsjellë të pensioneve./Panorama.al


Shtuar 17.09.2025 13:09