Operacioni “Shpirti”, Hoxha: Nëse dosja hetohet më thellë, orteku merr edhe SPAK-un (VIDEO)

Këtë të hënë në “Log.” me Endri Xhafon po diskutohet rreth punës së bërë deri më tani nga SPAK, në bashkëpunim më partnerë të huaj. I pyetur nëse Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mund të ndërmarrë operacione e vetme pa iniciativën apo ndihmën e të huajve, gazetari Artan Hoxha shpjegoi në mënyrë figurative se SPAK është një furrë pa miell.

Dhe si e tillë, prodhon më atë “lloj mielli” që i serviret për sa kohë nuk është gati Byroja Kombëtare e Hetimit.

“SPAK është pa BKH, kemi bërë gati furrën e bukës…por s’kemi çuar miellin. Ai furrxhiu që prodhon atë lloj buke me miellin që i çon ti. Nuk ka miellin e vet. Deri në këto momente e vështirë. Nuk e dimë a do t’ia arrijë, nuk është vetëm çështje vullneti.”

Duke folur për operacionin ndërkombëtar anti-drogë të koduar “Shpirti”, Hoxha tha se peshën ia jep vetëm emri i prokurorit të përfshirë.

“Peshën ia jep emri i atij prokurorit dhe drejtorit të antitrafiqeve, po nga Skrapari… të dy këta zyrtarë, i kanë lënë në arrest shtëpie. E dini ku e ka shtëpinë ky prokurori? Në Zhumë, në Krutje…”

Sipas gazetarit, duket sikur ke të bësh me një organizatë tipi mafioze, por bëhet fjalë thjesht për episode të mbledhura “aty-këtu”.

Megjithatë, gazetarja Klodiana Lala u shpreh se në këtë rast, SPAK duhet duartrokitur pasi siç u shpreh ajo vetë, dosja tregon që në trafikun e drogës përfshihen edhe zyrtarë të policisë.

“…Kjo dosje më ka treguar që zyrtarët e policisë janë në shumicë dërrmuese të përfshirë. Festim Lelaj, rezulton që merrte 15 mijë euro për një linjë, dhe fikte radarët..këto janë efekte zinxhir, edhe një trafikant si ai ka arritur të rekrutojnë njerëz të rëndësishëm të policisë shtetit.”

Artan Hoxha nga ana tjetër, theksoi se nëse dosja do të hetohet pak më thellë, druhet se “qethja” mund të filloje në SPAK.

“Ka filluar orteku, do ta marrë edhe SPAK-un.”

Edhe gazetarja Lala theksoi se ndërsa lexonte dosjen, konfirmoi edhe një herë se kanabizimi në vend ka qenë në nivelet më të larta dhe se zyrtarët e policisë “i kemi pasur të lidhur me trafikantët.” /abcnews.al


Shtuar 5.07.2021 22:26