Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, ka deklaruar se rrjeti i korrupsionit në Bashkinë e Tiranës ka hapur kapituj të rinj.
Duke iu referuar investigimit të “Piranjave”, Këlliçi thekson se njëri nga drejtorët e “5D”-së prej vitesh ka ngritur një skemë për të vjedhur arkën e buxhetit të Bashkisë Tiranë.
Këlliçi nënvizon se hapësirat publike janë kthyer në mall tregu, taksat janë përdorur si armë shantazhi dhe zarfet nën dorë janë bërë ligji i heshtur i inspektorëve bashkiakë.
REAGIMI I KËLLIÇIT
“Rilindja 2.0 e pompuar gjatë muajve të verës nga kryeministri, rezulton të jetë thjeshtë një upgrade i skemës 5D!
Rrjeti i korrupsionit në Bashkinë e Tiranës, sapo çeli kapitujt e ri!
Arli Naska, një ndër drejtorët e 5D, i amnistuar nga “heronjtë e fëmijëve tanë”, na befasoi mbrëmë me skemën e ngritur në vite prej tij, për të vjedhur arkën e buxhetit të Bashkisë Tiranë!
Pamjet dhe materiali audio i publikuar në emisionin “Piranjat” në Syri TV, tregojnë qartë atë që kryeqytetasit e kanë ndjerë çdo ditë: hapësirat publike janë kthyer në mall tregu, taksat janë përdorur si armë shantazhi dhe zarfet nën dorë janë bërë ligji i heshtur i inspektorëve bashkiakë.
Në qendër të kësaj skeme korruptive që ka lulëzuar për 9 vite me radhë qëndron Arli Naska, tashmë ish-drejtues i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Tiranë. Pikërisht aty ku duhej të mblidheshin të ardhurat për shërbime publike, u ngrit një arkë paralele e ryshfeteve dhe favoreve në këmbim të votave!
Kjo nuk është thjesht një aferë zyrtarësh të vegjël, apo inspektorësh të korruptuar. Ky është një mekanizëm i ndërtuar me qëllim për të kapur paratë e qytetarëve, për të dhunuar hapësirat tona publike dhe për të vjedhur të ardhurat e bashkisë Tiranë.
Kjo skemë duhet të shembet deri në themel dhe Bashkia Tiranë duhet çliruar përfundimisht nga këta banditë ordinerë.
Përgjegjësit duhet të japin llogari para drejtësisë”, shkruan Këlliçi.