Zv/kryeministrja angleze përdori paratë e djalit të sëmurë për të blerë apartament

Zëvendëskryeministrja britanike, Angela Rayner, ndodhet në qendër të një skandali të madh që ka ngritur pikëpyetje serioze mbi etikën dhe integritetin e saj politik, pasi ka rezultuar se ka përdorur £160,000 nga një fond-trust i ngritur për djalin e saj me aftësi të kufizuara për të blerë një apartament luksoz buzë detit në Hove, me vlerë £800,000.

Trusti ishte krijuar në vitin 2020, pas një procesi të gjatë ligjor 11-vjeçar kundër Shërbimit Kombëtar Shëndetësor të Britanisë (NHS), që përfundoi me një kompensim financiar për djalin e Rayner, i cili lindi para kohe në vitin 2008 dhe mbeti me pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë verbëri dhe nevoja të veçanta edukimi.

Fëmija, i cili peshoi më pak se një paund në lindje, u mbajt në jetë përmes trajtimit intensiv për gjashtë muaj në një spital në Manchester, pasi kishte pësuar gjakderdhje të rëndë në tru.

Nëna e tij ka treguar në të kaluarën se vetëm ndërhyrja e një mamie, pas një diagnoze të gabuar nga një mjek që i kishte thënë se kishte humbur fëmijën, shpëtoi jetën e të birit.

Në janar 2025, Rayner shiti pjesën e saj të mbetur në shtëpinë familjare në Ashton-under-Lyne – 25 për qind e pronës – për £162,500, duke e kaluar atë në trustin e djalit të saj.

Paratë e marra nga kjo shitje u përdorën si kapar për blerjen e apartamentit në Hove, për të cilin ajo gjithashtu mori një kredi prej £650,000.

Rayner e ka justifikuar këtë vendim, duke thënë se donte të siguronte që djali i saj të kishte stabilitet në shtëpinë familjare, që ishte përshtatur për nevojat e tij të veçanta.

Megjithatë, problemi ligjor nuk qëndron vetëm te burimi i fondeve. Rayner përballet me akuza për shmangie të pagesës së taksave, pasi ajo ka paguar vetëm £30,000 në taksën e pronës (stamp duty), ndërkohë që, sipas rregullave të tatimeve në Britani, për një pronë të dytë duhet të kishte paguar £70,000.

Fillimisht, ajo deklaroi se kishte vepruar në përputhje me këshillat ligjore që kishte marrë, por pasi gazeta The Telegraph zbuloi të dhënat dhe i solli ato në vëmendjen publike, Rayner pranoi se kishte bërë një gabim dhe se tani po punon për të rregulluar situatën në bashkëpunim me HMRC, autoriteti tatimor britanik.

Sipas burimeve të afërta me të, Rayner kishte marrë tre këshilla të ndara nga ekspertë të ligjit për trustet dhe një përmbarues, të cilët të gjithë e kishin informuar se ajo nuk i nënshtrohej taksës shtesë.

Megjithatë, pasi skandali doli në dritë, ajo kontaktoi një jurist të njohur tatimor, Jonathan Peacock KC, i cili i konfirmoi se ajo kishte pasur detyrim ligjor për të paguar shumën e plotë të taksës si për një pronë të dytë.

Burime pranë saj kanë sugjeruar gjithashtu se po të kishte pritur disa muaj deri në ditëlindjen e 18-të të djalit të saj, ajo nuk do të ishte detyruar të paguante taksën shtesë, pasi prona do t’i kishte kaluar tërësisht në pronësi të tij dhe nuk do të ishte më e lidhur me të personalisht.

Në një deklaratë publike, Rayner tha se; “jeta familjare është shpesh e ndërlikuar”, dhe se vendimi për të kaluar pronësinë te trusti i djalit kishte qenë në të mirë të fëmijës, sidomos pas ndarjes nga bashkëshorti në vitin 2023.

Ajo shpjegoi se kishte ndjekur një marrëveshje të quajtur “nesting”, në të cilën fëmijët qëndrojnë në shtëpinë familjare ndërsa prindërit alternohen për të jetuar aty.

Zëvendëskryeministrja britanike theksoi gjithashtu se; e kishte referuar vetveten te Këshilltari i Pavarur për Standardet Ministrore dhe se do të bashkëpunonte plotësisht për hetimin, duke ofruar çdo dokument apo informacion të kërkuar.

Ajo u shpreh:Çdo vendim që kam marrë është udhëhequr nga interesi më i mirë i fëmijëve të mi. Më vjen thellësisht keq për këtë gabim. Jam e përkushtuar që ta zgjidh plotësisht këtë çështje dhe të tregoj transparencën që kërkohet nga shërbimi publik”.

Nga ana tjetër, Stockport NHS Foundation Trust, institucioni ku lindi djali i Rayner, ka refuzuar të japë detaje për çështjen e kompensimit apo ndonjë dënim disiplinor ndaj stafit mjekësor, duke e cilësuar çështjen si konfidenciale dhe private.

Skandali ka shkaktuar valë reagimesh në opinionin publik dhe në radhët e politikës britanike, ku shumë e kanë cilësuar rastin si një test të rëndësishëm për besueshmërinë e lidershipit të Partisë Laburiste dhe për standardet që kërkohen nga zyrtarët e lartë të shtetit./The Telegraph