Inceneratori i Elbasanit/ Alqi Bllako rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkon prishjen e vendimit të Apelit të Posaçëm dhe shpalljen e tij të pafajshëm

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për prishjen e vendimit të Apelit të GJKKO që e dënoi 2 vite e 4 muaj për inceneratorin e Elbasanit. Bllako kërkon që Gjykata e Lartë të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që e shpalli të pafajshëm.

Në nëntor të vitit të kaluar, Apeli i GJKKO-së vendosi dënimin me burg për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe të pandehurit e tjerë që akuzohen si të përfshirë në aferën e inceneratorit të Elbasanit.

Trupa gjykuese vendosi dënimin me 10 vite burg të ish-ministrit Koka, i cili përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe u dënua përfundimisht me 6.8 vite burg.

Ndërkohë për ish-deputetin e Partisë Socialiste Alqi Bllako, u caktua dënimi me 2.8 vite burg dhe 5 vite heqje e së drejtës për të ushtruar funksione publike. Ai ishte shpallur i pafajshëm nga GJKKO për inceneratorin e Elbasanit, por Apeli i GJKKO vendosi dënimin me burgim për të.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako akuzohet se ka përfituar afro 14 milion e 600 mijë lekë pasi ka falsifikuar dokumente për të shpronësuar një tokë për ta kthyer nga një tokë arë në truall në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka e kryetarin e shpronësimeve, Pëllumb Abeshi.


Shtuar 3.09.2025 16:39