Qytetarët e zonës së Yzberishtit në Tiranë, kanë denoncuar një situatë shqetësuese me një pusetë të ujërave të zeza përpara godinës së tyre.
Ata thonë se sa herë ka shkarkime, uji i ndotur del në sipërfaqe duke sjellë erë të rëndë dhe rrezik për shëndetin publik.
Sipas banorëve, pavarësisht ankesave të bëra pranë Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT), institucioni është shprehur se pusetë nuk është në juridiksionin e tij, por konsiderohet pronë private e pallatit.
Kjo ka lënë komunitetin në një situatë të vështirë, pasi nuk kanë mundësi financiare apo teknike për të menaxhuar vetë problemin.
“Përshëndetje JOQ! Dëshirojmë të ndajmë një shqetësim të madh që kemi si banorë të pallatit MI&GI në Yzberisht. Përpara pallatit ndodhet një pusete e ujërave të zeza e cila është bërë problem i vazhdueshëm për lagjen dhe banorët sa here ka shkarkime te ujrave te zeza. Ne jemi drejtuar te UKT, por ata na kanë thënë se kjo pusetë nuk është pjesë e përgjegjësive të tyre dhe se është pronë e pallatit. Nga ana tjetër, si banorë të një pallati të madh, nuk kemi as kapacitetin dhe as mundësinë që të menaxhojmë diçka të tillë, sidomos kur bëhet fjalë për kanalizime të ujërave të zeza që përbëjnë rrezik higjienik dhe shëndetësor për komunitetin. Ky problem kërkon zgjidhje urgjente, sepse situata jo vetëm që krijon era të padurueshme, por edhe përbën rrezik të madh për shëndetin publik, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit që banojnë në këtë zonë. Kërkojmë që institucionet përkatëse të marrin përgjegjësinë dhe të japin një zgjidhje konkrete, në vend që të na kalojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit“, shkruhet në mesazhin e banorëve të pallatit MI&GI, Yzberisht për JOQ Albania.