Gjykata e Apelit në Prishtinë ka lënë në fuqi aktakuzën për korrupsion të ngritur ndaj zëvendëskryeministrit Fikrim Damka, shtatë muaj pasi Gjykata Themelore e kishte refuzuar atë.
Damka aktualisht është zëvendëskryeministër i tretë në Qeverinë “Kurti 4”, përgjegjës për çështjet e pakicave dhe bashkëpunimin.
Të lidhura
None found
Sipas Prokurorisë Speciale, Damka si ministër i Zhvillimit Rajonal dhe Besim Kamberaj në cilësinë e ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, u kanë mundësuar jashtëligjshëm përfitimin e një milioni eurosh për “Caritasin Zviceran” dhe për organizatën “Germin”, gjatë periudhës 2021-2022.
Në njoftim thuhet se Apeli e ka konfirmuar aktakuzën për veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare” ndaj Damkës dhe Kamberajt, pavarësisht se Themelorja e kishte pushuar procedurën me arsyetimin se nuk ishin plotësuar kushtet për vazhdim për shkak të mungesës së provave.
Kolegji gjykues i Apelit ka vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është nxjerrë në kundërshtim me rregullat e procedurës penale, duke konstatuar shkelje thelbësore sipas nenit 384 të Kodit të Procedurës Penale.
Po ashtu, Apeli ka gjetur se provat e çështjes në këtë fazë të procedurës krijojnë dyshim të bazuar mirë se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen dhe se provat janë siguruar e mbledhur në përputhje me ligjin.
Për këtë arsye, sipas njoftimit, Gjykata e Apelit ka vendosur që procedura penale ndaj të njëjtëve të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.




