Një 35-vjeçar, administrator i një farmacie në Tiranë, është vënë në pranga nga policia, pasi dyshohet se tregtonte medikamente mjekësore të dyshuara të kontrabanduara.
Sipas policisë, u arrestua shtetasi me iniciale A. H., 35-vjeç, ndersa ka nisur procedimi penal për shtetasen me iniciale A. M., 33-vjeçe, shitëse e farmacisë, e punësuar në mënyrë të paligjshme.
Gjatë kontrollit në farmacinë që administronte 35-vjeçari, në bulevardin “Zogu i Parë” shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan medikamente mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 35 000 euro.
Njoftimi i policise:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, operacioni policor i koduar “Medikamentet”.
Tregtonte medikamente mjekësore të dyshuara të kontrabanduara, vihet në pranga 35-vjeçari, administratori i farmacisë.
Procedohet penalisht shitësja, e punësuar në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrohen medikamente të ndryshme mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 35 000 euro.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Medikamentet”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi A. H., 35 vjeç, dhe nisi procedimi penal për shtetasen A. M., 33 vjeçe, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në farmacinë që administronte shtetasi A. H., në bulevardin “Zogu i Parë” shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, medikamente mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 35 000 euro.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.