Numri i nxënësve në shkolla është në rënie, prej uljes së lindjeve dhe emigracionit, por pas pandemisë fenomeni po përkeqësohet.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se për periudhën 2020-2025 totali i nxënësve të regjistruar në të gjitha nivelet ka rënë me rreth 61 mijë, që përbën një tkurrje prej 10%.
Në nivelet më të ulëta të arsimit, përkatësisht në kopshte, numri i fëmijëve të regjistruar është ulur me 8%, duke kaluar nga 71,332 në 2020 në 65,914 fëmijë në vitin e fundit.
Ky fenomen, është një tregues i tranzicionit të fortë demografik me uljen e lindjeve poshtë nivelit 1.5 fëmijë për grua dekadën e fundit, në krahasim me vitet 1990, ku ky tregues ishte mbi tre fëmijë për grua.
Arsimi fillor dhe cikli i lartë i arsimit bazë (klasat 5-9) kanë pësuar tkurrje më të theksuar.
Në shkollat fillore, numri i nxënësve ka rënë me 14% ndërmjet 2020 -2025, ndërsa në ciklin e lartë të arsimit bazë, tkurrja është 11%. Kjo tregon një trend vazhdueshëm demografik të zbehjes së popullsisë shkollore në moshat 6-14 vjeç.
Situata bëhet edhe më shqetësuese në arsimin e mesëm, ku numri i nxënësve ka rënë me 17% përgjatë periudhës në fjalë.
Gjatë këtyre viteve, regjistrimet në gjimnaze dhe shkolla profesionale kanë pësuar një rënie prej 19%, duke reflektuar një largim e të rinjve ose nga kjo fazë e arsimit apo një orientim drejt tregut të punës.
Arsimi profesional ka shënuar gjithashtu një ulje prej 11%, por kjo është më pak në krahasim me gjimnazet.
Në një kontrast të dukshëm me rëniet e mëparshme, arsimi i lartë ruan një stabilitet të konsiderueshëm.
Numri i të regjistruarve në universitetet dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë ka pësuar vetëm një ulje të lehtë prej 1%, duke kaluar nga 123,797 në 2020 në 122,613 studentë në 2025.
Kjo tregon se, pavarësisht sfidave demografike dhe sociale, interesi për studimet universitare mbetet i qëndrueshëm në Shqipëri.
Rënia e shpejtë e numrit të nxënësve ka ndikuar në mbylljen e një së katërtës së shkollave 9-vjeçare në rang vendi, referojnë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Arsimit.
Nga viti shkollor 2012-2013 në vitin shkollor 2021-2022 janë mbyllur 295 shkolla të arsimit 9-vjeçar në të gjithë vendin duke e çuar numrin total të tyre në 1051 nga 1346 që ishte në vitin 2013.
Mbyllja e shkollave ka ardhur në raport të drejtë me rënien e nxënësve, pasi nga 2011 më 2023, INSTAT referon se numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka shënuar tkurrje me rreth 30%.
Zonat rurale kryesojnë me mbylljen e shkollave, pasi numri i fëmijëve është pakësuar ndjeshëm.
Mirëpo mbyllja e shkollave në zonat rurale të vendit është bërë shkak për emigrimin e mëtejshëm e atyre pak familjeve me fëmijë të vegjël.
Që nga viti 2000 janë mbyllur 42% e shkollave 8-9-vjeçare në rang vendi.
Shqipëria financonte më shumë se 4-5% të PBB së saj para viteve 1990 për sektorin e arsimit, ky nivel ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD-së jepnin në atë kohë.
Por gjatë viteve të tranzicionit, sektori është financuar më pak se 3% të PBB-së, nivel gati 40% më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara ka dhënë në këtë periudhë dhe 20% më pak se financimet që japin vendet e rajonit./ MONITOR