Lojtari më i shtrenjtë në botë! Lamine Yamal lë pas të gjithë yjet e tjerë të futbollit

Lamine Yamal është lojtari më i shtrenjtë në botë. Talenti i Barcelonës ka lënë pas të gjithë yjet e tjerë të futbollit, duke marrë vendin e parë në renditjen e përditësuar nga faqja e specializuar në tregun e transferimeve, “Transfermark”.

Vetëm 18 vjeç, kartoni i Lamine Yamal vlerësohet 200 milion euro. Një shifër e çmendur, por që nuk i afrohet aspak klauzolës 1 miliard euro që e mban të lidhur me Barcelonën, pasi firmosi rinovimin e kontratës. Për t’u kthyer sërish te renditja e futbollistëve më të shtrenjtë, sulmuesi spanjoll le pas Jude Bellingham.

Mesfushori anglez vlerësohet 180 milion euro, aq sa Erling Haland dhe Kylian Mbappe, por për shkak të moshës, ai i paraprin sulmuesin norvegjez të Manchester City dhe atij francez të Real Madrid. Pesësja e parë e klasifikimit plotësohet me Vinicius Junior. Real Madrid dominon me katër lojtarë në dhjetë vendet e para, pasi në listën e futbollistëve me vlerë kartoni më të lartë se 100 milion euro bën pjesë edhe Federico Valverde. Pjesë e këtij “klubi” janë edhe talentet e tjera të futbollit botëror si Bukayo Saka, Pedri, Florian Virtz dhe Jama Musiala.

Ndërkaq, mesfushori i Barcelonës, Gavi, ka shprehur publikisht mbështetjen për shokun e skuadrës, Lamine Yamal, duke e cilësuar 18-vjeçarin si një nga pretendentët kryesorë për të fituar Topin e Artë 2025.


Shtuar 7.08.2025 16:55