Një shpërthim i virusit chikungunya, i transmetuar nga mushkonjat, është regjistruar në provincën Guangdong të Kinës, me mbi 7,000 raste të raportuara deri tani.
Sipas mediave ndërkombëtare, qyteti më i prekur është Foshan, ku pacientët po trajtohen në spitale nën masa të rrepta sigurie. Përveç Foshanit, të paktën 12 qytete të tjera në jug të Kinës kanë raportuar raste të infeksionit.
Vetëm gjatë javës së fundit janë konfirmuar rreth 3,000 raste të reja, duke shtuar shqetësimin në mesin e banorëve, edhe pse shumica e rasteve konsiderohen të lehta.
Autoritetet kineze kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar qytetarët e tyre që udhëtojnë drejt Kinës të jenë të kujdesshëm.
Çfarë është virusi Chikungunya?
Chikungunya është një virus që transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Shumica e të infektuarve shfaqin simptoma brenda 3 deri në 7 ditë pas pickimit.
Simptomat përfshijnë:
-
Ethe
-
Dhimbje të forta të kyçeve
-
Skuqje të lëkurës
-
Dhimbje muskujsh dhe koke
-
Ënjtje në kyçe
Shumica e pacientëve shërohen brenda një jave, por në disa raste, dhimbjet e kyçeve mund të zgjasin me muaj apo edhe vite.
Grupet më të rrezikuara janë të porsalindurit, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, si diabeti apo problemet kardiake.
Ndonëse nuk ka kurë specifike për chikungunya, rastet me pasoja fatale janë shumë të rralla.
Si mund të mbrohemi?
Mënyra më efektive për të parandaluar përhapjen e virusit është eliminimi i vendeve me ujë të ndenjur, ku mushkonjat shumohen. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këshillon gjithashtu përdorimin e repelentëve, veshje mbuluese dhe rrjeta kundër mushkonjave.