Zgjedhjet e 11 Majit/ Berisha publikon letrën: Ministri i Jashtëm kërcënoi vëzhguesit ndërkombëtarë, kërkoi që të ndryshojnë raportin

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka hedhur akuza se Ministri i jashtëm ka kërcënuar vëzhguesit ndërkombëtarë që të ndryshojnë raportin lidhur me zgjedhjet e 11 Majit.

Ish-kryeministri pubikuar letrën ku sipas tij thuhet ‘Dua të shpreh shqetësimin serioz lidhur me paragrafin hyrës të deklaratës, në të cilin bëhet një paraqitje thellësisht negative në pikëpamjen tonë dhe e pabalancuar e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025″.

Berisha deklaroi se letra u dërgua nga Ministri Igli Hasani koordinatores speciale të OSBE-së Farah Karimi më 12 Maj, sipas tij, pasi u lexua raportoi i vëzhguesve ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare.

Sali Berisha: Farsa elektorale e 11 majit 2025 është procesi elektoral më i shëmtuar në 32 vite pas rënies së Perdes së Hekurt. Është procesi më i diskredituar. Është procesi më i korruptuar.

Këtu në mënyrë të vazhdueshme kemi paraqitur qindra fakte dhe dokumente të pakundërshtueshme të përdorimit të mbi 1 miliard e 20 milionë euro para të buxhetit me qëllim blerjen dhe influencën e votës. Të organizimit të mbi 4 mijë e 500 aktiviteteve më shumë se tre vite të tjera të marra së bashku, në 4 muajt e fundit para zgjedhjeve, të ndaluara me ligj. Të gjysëm miliardi prokurime të ndaluara me ligj para zgjedhjeve.

Të armatosjes së terroristëve elektoralë patronazhistë me të dhënat e qytetarëve për t’i mikluar dhe kërcënuar ata. Firmosjen e licencave për mbjelljen e kanabisit në përmasa 140 herë më të mëdha se sa ç’parashikon ligji. Kemi paraqitur para jush manipulimin ekstrem të votës së diasporës.

Por ju jeni dëshmitarë se këtu, nga kjo sallë, nga Parlamenti Europian dhe asambleja parlamentare e OSBE, kam denoncuar me forcën më të madhe këcënimet, presionet e Edi Ramës dhe ministrit Igli Hasani ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë me qëllim që ata të ndryshojnë raportin.

Siç unë u kam njoftuar, laptopi po bën transparencë të madhe.

Këtu para jush kam sjellë sot letrën kërcënuese që ministri i jashtëm i narkoshtetit, Igli Hasani, iu drejton me datën 12 maj, sapo lexohet raporti, zonjës Farah Karimi, koordinatore speciale dhe lider i misionit afatshkurtër të OSBE-së.

Ambasadorit Lamberto Zannier, kryetar i misionit të vëzhguesve të ODIHR-it.

Zotit Bjorn Soder, kryetar i delegacionit të asamblesë parlamentare të OSBE.

Zoti Simone Billi, kryetar i delegacionit të asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës.

Dhe zotit Michael Gahler, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian.

Shikoni çfarë banditizmi, sapo kanë lëshuar komunikatën, atyre iu drejtohet kjo letër.

Pas kortezisë, në letër thuhet: ‘Lidhur me deklaratën e gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake, dua t’ju përcjell pritshmërinë që këto raporte të pasqyrojnë me saktësi realitetet e observuara në terren gjatë procesit elektoral’.

Dhe vazhdon: ‘Në këtë drejtim, dua të shpreh shqetësimin serioz (imagjinoni ju çfarë mafiozësh janë këta, ata sa e kanë lexuar raportin, dhe ky sikur t’ua ketë marrë kopjen para) lidhur me paragrafin hyrës të deklaratës, në të cilin bëhet një paraqitje thellësisht negative në pikëpamjen tonë dhe e pabalancuar e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025’.

 

 

Përmbajtja e letrës:

Tiranë, 12 maj 2025

Për: Farah Karimi, Koordinatore Speciale dhe Udhëheqëse e Misionit Afatshkurtër të OSBE-së

Ambasador Lamberto Zannier, Shef i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR

Björn Söder, Shef i Delegacionit të AP të OSBE-së

Simone Billi, Shef i Delegacionit të AP të Këshillit të Europës

Michael Gahler, Shef i Delegacionit të PE

Më lejoni t’ju shpreh edhe një herë mirënjohjen tonë të sinqertë për Misionin Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm në monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 11 maj 2025 në Shqipëri.

Në lidhje me Deklaratën e Gjetjeve dhe Përfundimeve Paraprake të publikuar më 12 maj 2025, dëshiroj të shpreh me respekt pritshmërinë tonë që këto raporte të pasqyrojnë në mënyrë të saktë realitetin e vëzhguar në terren gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Në këtë kuadër, më duhet të shpreh shqetësimin serioz lidhur me paragrafin hyrës të Deklaratës, i cili paraqet një pasqyrim ndjeshëm negativ dhe, sipas mendimit tonë, të paekuilibruar të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Toni dhe korniza e këtij paragrafi hyrës rrezikon të errësojë kontekstin më të gjerë të përparimeve të bëra, përfshirë përmirësimet demokratike si rritja e transparencës, avancimi i teknologjisë zgjedhore dhe, në mënyrë të veçantë, zbatimi me sukses i votimit nga jashtë vendit.

Për më tepër, pohimi se partia në pushtet ka përfituar nga përdorimi i përhapur i burimeve administrative nuk është i mbështetur mjaftueshëm, veçanërisht për një vlerësim paraprak. Për shembull, referenca në faqen 2 (paragrafi 4) për “faljen e një numri të madh gjobash shtetërore pak para ditës së zgjedhjeve” nuk përfshin sqarimin e dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në letrën e datës 8 maj 2025. KQZ-ja konfirmoi se projektvendimi i qeverisë për masat administrative të paekzekutuara nuk bie ndesh me Kodin Zgjedhor të Shqipërisë.

Gjithashtu, përmendja në raport e “intimidimit të përhapur të votuesve” duket të bazohet kryesisht në akuza të pa verifikuara. Siç është bërë publikisht e ditur, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ngritur një njësi të posaçme për zgjedhjet, për të hetuar të gjitha denoncimet e besueshme për intimidim të votuesve dhe parregullsi zgjedhore. Janë nisur disa hetime dhe janë kryer arrestime – tregues të qartë të përkushtimit institucional të Shqipërisë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të garantuar llogaridhënie.

Lidhur me përshkrimin e klimës elektorale si “shumë e polarizuar”, theksojmë se, pavarësisht mospajtimeve të forta, partia në pushtet nuk ka kundërshtuar zyrtarisht vendimet kryesore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – përfshirë vonesën në publikimin e rezultateve të votimit elektronik dhe pezullimin e numërimit të votave nga Greqia, pas një kërkese nga opozita. Këto veprime pasqyrojnë një zgjedhje të qëllimshme për të ruajtur një klimë politike të qetë dhe konstruktive.

Në lidhje me vërejtjen se mjedisi mediatik mungon në raportim të pavarur dhe se shumica e mediave perceptohen të jenë në linjë me partinë në pushtet (faqe 3, paragrafi 2), dëshirojmë të rikujtojmë deklaratën e bërë nga Shefi i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve gjatë konferencës për shtyp pas zgjedhjeve, duke sqaruar se “nuk duket të ketë autocensurë, siç ishte raportuar në Përfundimet Paraprake.” Ne besojmë se kjo dallim është thelbësor dhe duhet të reflektohet në raportin e shkruar.

Duke marrë parasysh këto konsiderata, i bëjmë thirrje me respekt Misionit dhe ODIHR-it që të sigurojnë një qasje më të balancuar dhe të bazuar në prova në vlerësimet e tyre. Është me rëndësi që gjetjet paraprake të mos hedhin dyshime të pajustifikuara mbi një proces zgjedhor që, siç pranohet edhe në vetë raportin, është zhvilluar përgjithësisht në mënyrë profesionale dhe në përputhje me standardet demokratike.

Në fund, dëshiroj të ritheksoj mirënjohjen e thellë të autoriteteve shqiptare për rolin e rëndësishëm që luan misioni juaj në mbështetjen e zhvillimit demokratik në Shqipëri. Këtë reagim e ofrojmë në frymën e një angazhimi konstruktiv dhe bashkëpunimi të vazhdueshëm.

Ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Me respekt,

IGLI HASANI


Shtuar 4.08.2025 13:36