Synojnë finalen e madhe, statistikat mes Italisë dhe Spanjës

Italia tregon dhëmbët sërish dhe tani nga fi nalja e “Euro 2020” e ndan vetëm gjysmëfinalja me Spanjën.

Pasi i dhanë leksionin e radhës Belgjikës, në shtegun e “Axurrëve”, të cilët vazhdojnë të shënojnë rekord pas rekordi, do të jenë “Furitë e Kuqe”, ndaj të cilëve në 37 precedentë baraspesha është totale: 11 fitore për secilën dhe 15 barazime.

Gjithsesi, kjo situatë do të ndryshojë pa dyshim të martën.

STATISTIKAT

* Italia ka stabilizuar serinë më të gjatë të fitoreve mes kualifikueseve dhe fazës finale të një Europiani: 15.

* 90 gola për Italinë e Roberto Mançinit, që tani ka arritur atë të Arrigo Sakit: vetëm Poco, Bearzot dhe Valkarexhi numërojnë më shumë.

* Goli i Lorenco Insinjes ishte i 11-ti për Italinë në këtë “Euro 2020”: rekord absolut për “Axurrët” në një Europian të vetëm, ndërsa herën e fundit që kanë shënuar më shumë në një kompeticion madhor ka qenë në Botërorin e 2006-ës (12). Të gjithë e dimë si përfundoi…

* Italia ka shënuar 5 gola me mesfushorë: asnjë skuadër nuk ka bërë më mirë në këtë Europian.

* Secili nga 6 golat e Nikolo Barelës me Italinë është shënuar në pjesën e parë.

* Romelu Lukaku barazoi totalin e golave të shënuar në Botërorin e vitit 2018: është belgu i vetëm që ka shënuar 4 gola në një turne të madh ndërkombëtar, për të dytën herë madje. Me golin e realizuar nga penalltia, asnjë lojtar belg nuk ka më shumë gola se ai në një Europian (6) apo Botëror (5, sa Mark Vilmots).

* Ajo e mbrëmjes së djeshme ishte ndeshja numër 50 e Çiro Imobiles me fanellën e kombëtares italiane.

* Ndeshja e 100-të si titullar ndërkohë për Leonardo Bonuçin me Italinë: është lojtari i 8-të që arrin këtë kufi.

* Xheremi Doku (19 vjeç e 36 ditë) është lojtari më i ri që ka luajtur një ndeshje si titullar në fazën me eliminim direkt për Belgjikën në një turne madhor ndërkombëtar (Europian/ Botëror). Ndërkohë që më përpara rekordin e mbante Divok Origi (19 vjeç e 74 ditë) në Botërorin e vitit 2014.


Shtuar 4.07.2021 11:45