Papa Leo XIV paralajmëron se civilët në Gaza po “shtypen nga uria”, po ekspozohen ndaj dhunës

Ditën e djeshme, Papa Leo XIV, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër për krizën humanitare “jashtëzakonisht të rëndë” në Gaza , duke thënë se popullsia civile po “shtypet nga uria” dhe vazhdon të përballet me “dhunë dhe vdekje” mes sulmeve dhe rrethimit të vazhdueshëm të Izraelit.

“Po e ndjek me shqetësim të thellë situatën jashtëzakonisht të rëndë humanitare në Gaza, ku popullsia civile po shtypet nga uria dhe vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj dhunës dhe vdekjes”, tha Papa gjatë lutjes së tij javore Angelus, raportoi Vatican News.

Komentet e tij vijnë pas zemërimit global në rritje për kushtet katastrofike në enklavën e rrethuar, ku agjencitë e ndihmës raportojnë zhvendosje masive, uri dhe rritje të vdekshmërisë foshnjore për shkak të kufizimeve disamujore izraelite në ushqim, ilaçe dhe akses humanitar.

Leo përsëriti thirrjen e tij urgjente për një armëpushim, duke bërë thirrje për lirimin e të gjithë pengjeve dhe akses të papenguar për ndihmë humanitare, duke theksuar se çdo person “ka një dinjitet të brendshëm të dhuruar nga vetë Zoti”.

Ai u bëri thirrje udhëheqësve politikë dhe të gjitha palëve në konflikt që ta “njohin këtë dinjitet” dhe “të ndërpresin të gjitha veprimet që e shkelin atë”.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë gati 60,000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.

Në nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale, lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu, me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.


Shtuar 28.07.2025 07:30