Vdekja e 32-vjeçarit në Shëngjin, arrestohet përgjegjësi i subjektit ku viktima po kryente punimet

Pasditen e djeshme, një ngjarje e rëndë është regjistruar në Shëngjin, ku 32-vjeçari Zef Lorenci ka humbur jetën, pasi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike.

Sipas informacioneve policore, i riu ka humbur kontrollin dhe ka rënë nga skela. Rënia nga skela ka qenë fatale për 32-vjeçarin, i cili ka humbur jetën në vend.

Policia ka dalë me një njoftim të ri, në lidhje me vdekjen e punëtorit 32-vjeçar, Zef Lorenci. Policia bën me dije se është vënë në pranga një 64-vjeçar.

I arrestuari është përgjegjës i subjektit ku viktima po kryente punimet. I arrestuari është identifikuar si Zef Shtjefni.

Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:45. Nga pamjet e publikuara dje nga vendi i ngjarjes, duket skena e rrethuar me shirit.

 

 

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 19.07.2025, lidhur me ngjarjen e ndodhur në shëtitoren “Willson”, në Shëngjin, ku gjatë punimeve në një strukturë për ngritjen e një skene humbi jetën një punëtor, ju informojmë se:

Nga veprimet hetimore të kryera nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Z. Sh., 64-vjeç, banues në Shëngjin, me detyrë përgjegjës i subjektit (ortak) që po kryente punimet në vendngjarje. Nga hetimet e deritanishme rezulton se më datë 19.07.2025, rreth orës 16:30, shtetasi Z. L., 32-vjeç, punëtor në këtë subjekt, duke punuar mbi një strukturë për ngritjen e skenës, aksidentalisht ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë ka rënë nga një lartësi prej 5-6 metrash, duke marrë dëmtime të rënda trupore, i cili humbi jetën gjatë transportimit për në spital.


Shtuar 20.07.2025 12:18