Aksioni i shembjeve të ndërtimeve pa leje në Theth/ Policia në rresht, fadromat vijojnë punën (VIDEO)

Pavarësisht rezistencës së banorëve për të mos lejuar prishjen e shtëpive, edhe këtë të shtunë, ka vijuar  aksioni në zonën e Thethit, operacion ky i ndërmarrë nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me mbështetjen e Policisë së Shtetit, për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Sipas raportimeve të gazetarit Senad Nikshiqi, janë shtuar forcat e policisë, të cilat janë vendosur në formacion sigurie përgjatë zonës ku po zhvillohet ndërhyrja.

Po ashtu, në vendngjarje ndodhen mjete të rënda (fadroma), të cilat po vijojnë me shembjen e objekteve të evidentuara si të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.

Kjo është dita e gjashtë e aksionit që ka nisur në bazë të një urdhri të lëshuar nga Kryeministri, në funksion të mbrojtjes së territorit dhe ligjshmërisë në zonat e mbrojtura.

Gjatë ditës së djeshme, aksioni u shoqërua me tensione mes banorëve dhe forcave të rendit, ndërsa janë regjistruar përplasje verbale dhe momente përshkallëzimi.

Ndërhyrja në zonën e Thethit, ka nxitur edhe reagime nga subjekte politike dhe përfaqësues të komunitetit fetar.

Kisha Katolike në Shkodër, ka bërë thirrje për ruajtje të qetësisë, dialog dhe komunikim mes banorëve dhe institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që situata të menaxhohet pa përplasje.

 


Shtuar 12.07.2025 11:48