Aksioni i IKMT/ Banorët e Thethit ngrihen në protestë, bllokojnë urën që të çon në fshat

Banorët e fshatit turistik Theth, në shenjë proteste dhe kundërshtie ndaj vijimit të operacionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kanë bllokuar hyrjen në urën kryesore që çon në fshat.

Ky aksion, ka nisur para dy ditësh me qëllim heqjen e objekteve e vendosura në mënyrë të paligjshme, kryesisht ato të përshtatura për bujtina turistike.

Operacioni i IKMT nisi pas denoncimit të kryeministrit Edi Rama, i cili kritikoi ashpër edhe veprimet e prokurores së Shkodrës, që sipas tij, nuk kishte nisur çështje penale për këto objekte.

Banorët shprehin shqetësimin për pasojat që do të sjellë heqja e objekteve në zhvillimin turistik dhe ekonominë lokale, duke kërkuar një dialog të hapur me autoritetet.

Situata mbetet e qetë, ndërkohë që pritet vijimi i aksionit dhe reagimi zyrtar i institucioneve përkatëse.


Shtuar 9.07.2025 09:47