Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan gjatë fjalës së tij në samitin në Hagë ka folur për situatën në veri të Kosovës dhe prezencën e KFOR-it turk në vend.
Erdogani tha se pjesëtarët e KFOR-it turk janë në rajonin e Ballkanit Perëndimor për paqe dhe qetësi. Ai shtoi se për sa kohë që KFOR-i turk ndodhet aty, shpreson të mos ketë ndonjë problem.
“Siç e dini, KFOR-i turk është në rajon. Pse është në rajon? Për paqe, për qetësi, dhe përderisa ne jemi atje, dashtë Zoti të mos kemi probleme atje”, deklaroi Erdogani në konferencën me media pas samitit të NATO-s në Hagë, teksa u pyet për situatën në veri të vendit nga një gazetar i Kosovës.
Në samitin dyditor në Hagë 32 shtetet anëtare të NATO-s kanë rënë dakord të shpenzojnë 5% të PBB-së së tyre për mbrojtje dhe siguri deri në vitin 2035, pas muajsh presioni nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Pragu i ri u bën thirrje anëtarëve t’i kushtojnë 5% të ekonomive të tyre “mbrojtjes thelbësore” dhe fushave të sigurisë që lidhen me të. Ky është një hap që synon të rrisë aftësitë kolektive të NATO-s në një epokë të kërcënimeve gjeopolitike në rritje, veçanërisht nga Rusia.