Reagojnë muxhahedinët e Manzës: Kërkojmë demokraci, populli i Iranit ta rrëzojë vetë Khamenein

Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, Maryam Rajavi, ka reaguar në lidhje me armëpushimin e vendosur mes Izraelit dhe Iranit, bazuar mbi një marrëveshje të SHBA-ve.

Në një deklaratë të lëshuar nga Kampi Ashraf 3 në Manëz të Durrësit, ku strehohen anëtarët e organizatës MEK, ajo thotë se le të jetë vetë populli i Iranitqë të rrëzojnë diktaturën e Ayatollah Ali Khamenei.

Maryam Rajavi përsërit thirrjen për një republikë demokratike, jo-bërthamore, me ndarjen e fesë nga shteti, barazinë gjinore dhe autonomi për kombësitë e Iranit.

“Propozimi për një armëpushim dhe përfundimin e luftës është një hap përpara për opsionin e tretë: as luftë, as pajtim. Le të jenë vetë populli i Iranit, në betejën e fatit, që të rrëzojnë Khamenein dhe diktaturën e velajat-e fakihut.

Populli i Iranit, në luftën e tij gjatë një shekull, me kosto të mëdha dhe të përgjakshme, ka refuzuar vazhdimisht diktaturat e Shahut dhe Sheikut përmes kryengritjeve të njëpasnjëshme.

Unë përsëris se ne kërkojmë një republikë demokratike, jo-bërthamore, me ndarjen e fesë nga shteti, barazinë gjinore dhe gjithashtu autonomi për kombësitë e Iranit. Kjo do të sjellë paqe, demokraci, të drejta njerëzore, stabilitet, rindërtim, miqësi, bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik në rajon dhe botë”, shkruan Maryam Rajavi.


Shtuar 24.06.2025 11:37