Tragjedi në dasmë në Francë: Vritet nusja, plagoset bashkëshorti dhe një fëmijë

Një dasmë në fshatin Goul, pranë Avignonit në Francën juglindore, u kthye në tragjedi pas një sulmi të armatosur në mesnatë, ku humbi jetën nusja 27-vjeçare, ndërsa bashkëshorti i saj 25-vjeçar dhe një fëmijë 13-vjeçar mbetën rëndë të plagosur.

Sipas autoriteteve franceze, sulmi ndodhi kur çifti sapo kishte dalë nga salla e festës. Persona të maskuar dhe të armatosur hapën zjarr në drejtim të të sapomartuarve. Një prej autorëve u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, ndërsa të paktën një bashkëpunëtor tjetër arriti të largohej dhe është në kërkim. Një operacion i gjerë është në zhvillim për kapjen e të dyshuarve.

Në momentin e sulmit në sallë ndodheshin 28 persona. Një grua pësoi lëndime të lehta, ndërsa të tjerët shpëtuan pa dëmtime. Sipas hetimeve paraprake, vendi i dasmës ishte rezervuar që në muajin mars nga persona që nuk janë banorë të përhershëm të zonës.

Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me çështje të trafikut të drogës, por hetimet janë ende në zhvillim. Prokuroria ka hapur një procedurë penale për vrasje dhe tentativë vrasjeje.

“Kjo ngjarje është tronditëse. Nuk kemi parë diçka të tillë në komunitetin tonë”, tha kryebashkiaku Didier Perello, duke shtuar se zona ndodhet pranë qyteteve ku fatkeqësisht incidente të tilla janë më të zakonshme.


Shtuar 23.06.2025 16:10