Mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, në Tv Klan po diskutohet lidhur me përplasjet në Lindjen e Mesme, mes Izraelit dhe Iranit.
Teksa mes të ftuarve po diskutohen pasojat e këtij konflikti brenda dhe përtej kufijve të tyre, secili prej analistëve ka mendim të ndryshëm për sa i përket fillimit të këtij tensioni.
Pjesë e panelit, Berat Buzhala u shpreh se e keqja ka nisur prej Iranit, e jo prej Izraelit.
“Jam i mbrojtjes së shtetit të Izraelit. Unë mendoj se strumbullari i gjithë të këqijave në atë rajon është Irani. Prej vitit 1979 e tutje, Irani është frymëzuesi kryesor i krimeve, ose i sulmeve, sepse e ka dhe strategji ndërkombëtare zhdukjen e Izraelit prej faqes së dheut.
Vetëm në 2023, Irani ka dhënë 130 milionë euro, i ka investuar në Hamas. Mbështetësi kryesor i Hamasit është Irani. Hamasi nuk ka lidhje as me Arabinë Saudite, as me Egjiptin, nuk ka lidhje as me Jordanin. Ka lidhje me Katarin dhe me Iranin. Pra, ka një rënie të këtij regjimi, i cili ka problem fondamentale të brendshme, le të themi, por ato janë probleme të Iranit”, tha ai.
Bushala shprehet se Irani ka plan si zyrtarisht zhdukjen e Izraelit. Nga ana tjetër, edhe pse në studio po bën “avokatin” e Izraelit, Bushala shprehet se nuk është dakord për veprat e këtij shteti në Gaza.
“Irani zyrtarisht e ka platformë zhdukjen e Izraelit prej faqes së dheut. Në anën tjetër, të gjithë e dimë që… shumica prej nesh e dimë Izraeli gjithashtu e ka një slogan. ‘Never again’.
‘Never again’, lind pas luftës së dytë botërore. ‘Kurrë më’. Pra, unë nuk pajtohem me zhvillimet në Gazë. Kam kush e di sa vërejtje”, tha ai.