Dëmton legenin në burg, ish-shefi i Rrugores Roven Zeka kërkon lirinë

Ish-shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Roven Zeka, është rrëzuar në ambientet e burgut dhe ka dëmtuar legenin.

Gazetarja Glidona Daci, bën me dije se seanca gjyqësore ndaj tij do të mbahet në orën 13:00.

Mësohet se Zeka ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë në GJKKO.

Zeka dyshohet nga SPAK për korrupsion, në lidhje me procedurat për një aksident në kryeqytet.

Më herët, masa e “arrestit me burg” është lënë në fuqi nga Apeli i GJKKO-së për Zekën dhe oficerin Edison Tabaku, ndërsa shefi i hetimit të aksidenteve, Sokol Novaku, është lënë në “arrest shtëpie” për shkak të rrethanave familjare.

Kujtojmë se urdhër-arresti nga Prokuroria e Posaçme për Zekën, Novakun dhe zyrtarin tjetër të policisë Edison Tabaku u lëshua më 19 prill të këtij viti.

Ata akuzohen për “korrupsion pasiv” lidhur me një ngjarje të ndodhur më 16 prill, ku kërkuan ryshfet për të mos arrestuar drejtuesen e një mjeti që kishte shkaktuar një aksident me pesë të plagosur në kryeqytet.

SPAK thekson se sipas informacioneve të siguruar nga BKH, ka rezultuar se oficerët e policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit pagesën prej 2 mijë eurosh.

Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi nën hetim me ndihmën e personave të tjerë.

Roven Zeka, u emërua në krye të Policisë Rrugore të Tiranës në dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa më herët ka shërbyer në qytetin e Elbasanit.


Shtuar 16.06.2025 12:36