Përfundon ‘Defender 2025’, Vengu vlerëson përkushtimin e FA

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi një vizitë në rajonin stërvitor të Bizës, me rastin e përmbylljes së stërvitjes shumëkombëshe “Defender 2025”.

Ministri Vengu u shoqërua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, Komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Ilir Xhebexhia, Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneralmajor Ferdinant Dimo, si dhe Drejtori i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralbrigade Ardian Lilo.

Gjatë vizitës, ministri i Mbrojtjes dhe drejtuesit e tjerë të lartë të FA-së ndoqën nga afër demonstrimet taktike dhe angazhimin e trupave të përqendruara në terren, në kuadër të fazës përmbyllëse të stërvitjes.

Në vijim, gjeneralbrigade Lilo informoi ministrin përmes një prezantimi gjithëpërfshirës mbi të gjitha aspektet e “Defender 25”, duke përfshirë fazën përgatitore, konferencat planifikuese, pjesëmarrjen ndërkombëtare, objektivat strategjike, kapacitetet e angazhuara si dhe mësimet e nxjerra nga zhvillimi i saj.

Vengu shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij për të gjithë efektivët pjesëmarrës, duke vlerësuar lart përkushtimin, profesionalizmin dhe nivelin e lartë të bashkëpunimit të treguar gjatë të gjitha fazave të stërvitjes.

Gjatë vizitës, u prezantuan rezultatet dhe mësimet e nxjerra nga stërvitja, ndërsa përmbyllja u shoqërua me një drekë të përbashkët, si shenjë respekti efetivët e angazhuar.


Shtuar 8.06.2025 19:29