U kthyen nga Stambolli me 14 valixhe me ilaçe dhe 300 mijë €/ Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq 5 kosovarët

Prokuroria e Tiranës, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq pesë shtetas nga Kosova, të akuzuar për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara” në bashkëpunim.

Të akuzuarit, A.M., B.Z., A.G., A.I., dhe F.Z., janë kapur në Aeroportin e Rinasit në dhjetor 2024 teksa ktheheshin nga Stambolli me 14 valixhe me medikamente dhe 300 mijë euro cash.

“Ndërkohë që pas mbërritjes së bagazheve, nga doganierët e Doganës Rinas, Grupi i Antikontrabandës, Antitrafikut dhe Policia Rinas, u konstatuan 14 valixheve me 1057840 medikamente me mbishkrimin ‘Unified’ me peshë totale 417.1 kg, të cilat u sekuestruan së bashku me vlerën monetare të padeklaruar.

Nga hetimet rezultoi e provuar kryerja e kontrabandës me mallra të licensuar (medikamente) të pa autorizuar në Republikën e Shqipërisë. Prokuroria arriti në përfundimin se vepra penale është kryer në bashkëpunim nga të pestë personat e arrestuar.

Mallrat e sekuestruara të cilat klasifikohen ‘barna’ në kuptim të Ligjit nr.105/2014 ‘Për barnat dhe shërbimin farmaceutik’ të ndryshuar kërkojnë: autorizim tregtimi, autorizim përdorimi dhe pullën e kontrollit të lëshuar nga AKBPM në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Ligjin nr.105/2014 ‘Për barnat dhe shërbimin farmaceutik’ të ndryshuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.


Shtuar 6.06.2025 12:11