Ditën e sotme u zhvillua një nga operacionet më të mëdha në brigjet e vendit tonë në kuadër të stërvitjes së përbashkët të forcave të NATO-s, ku mori pjesë edhe Shqipëria.
Në këtë stërvitje ishin të pranishme edhe forcat ushtarake nga Skuadronit të Sigurisë së Ekspeditës Detare të Marinës Amerikane, që patrulluan së bashku me Forcën Detare Shqiptare. Ambasada Amerikane në Tiranë publikoi edhe fotot e rastit, duke e quajtur këtë stërvitje shumë thelbësore për aleancën euroatlantike.
“Sot, deti Adriatik u shndërrua në një skenë simulimi për të zhvilluar operacione detare si pjesë e #Defender25
Dy anije patrullimi nga Skuadroni i Sigurisë së Ekspeditës Detare të Marinës së ShBA shoqëruan anijet e Forcës Detare Shqiptare gjatë stërvitjes, e cila përfshiu forcat shqiptare teksa zbritën me litar dhe hipën në një anije të Forcës Detare.
DEFENDER 25 është stërvitja vjetore më e madhe e Ushtrisë Amerikane në Europë, që bashkon 25,000 trupa nga 29 vende aleate dhe partnere për të rritur shpërndarjen e shpejtë dhe gatishmërinë për operacione të përbashkëta. Këto stërvitje janë thelbësore për të siguruar që Aleatët e NATO-s të mbeten të gatshëm për të përballuar sfidat e vërteta të sigurisë” – shkruan Ambasada Amerikane në Tiranë.