Vajza i vjedh biznesin të atit me falsifikim firme, si u bë pronare e shkollës

Thanas Gega, një qytetar nga Tirana, i është drejtuar emisionit “Stop” për të denoncuar vajzën e tij Kristi Gega.

Kjo e fundit, në vitin 2018 sipas tij, i ka falsifikuar firmën, duke e bërë veten administratore të shkollës që posedonte Thanasi dhe më pas me një tjetër dokument, i dhuroi vetes kuotat e shoqërisë duke u bërë pronare e shkollës.

Thanasi e çoi çështjen në prokurori dhe organi i akuzës doli në konkluzionin që firma ishte e Thanasit pavarësisht se gjykatat e shkallës së parë dhe e apelit e rrëzuan kërkesën e Prokurorisë për pushim të çështjes. Prokurori Sajmir Hysaj vijon të ankimojë vendimet e gjykatave dhe nuk heton.

QKB pranon kontrata dhurimi mes palëve të shoqërive tregtare që nuk janë hartuar te noteri dhe sipas ekspertit Fatmir Laçej, kjo procedurë duhet të ndryshojë pasi krijon hapësira për abuzim. Gjithashtu me ndryshimin e administratorit dhe pronarit të shkollës në QKB, mbetet e parregulluar marrëdhënia për ndërtesën pasi nuk ka një kontratë qiraje mes palëve.

“Stop” shkon pranë shkollës në fjalë ku Kristi Gega flet në emër të të atit kur bëhet fjalë për të regjistruar nxënës.

Qytetarja: Juve jeni? Ça pozicioni keni juve këtu?

Qytetarja: Administratorja! Mua më thanë në fakt që nuk e di, është shkolla e Thanasit.

Kristi Gega: Po, po! Jam e bija!

Në takimin me gazetaren e “Stop”, Kristi Gega thotë se çështja është në gjykatë.

Gazetarja: Si jeni? Ju jeni Kristi? Unë jam Domenika, gazetare e emisionit “Stop” në Tv Klan.

Gazetarja: Erdha këtu, sepse babai juaj është drejtuar tek emisioni “Stop” në lidhje me dhurimin e kuotave. Pretendon që nuk e ka bërë.

Kristi Gega: E kam mbyllur unë në gjykatë.

Mëënyra sesi është bërë dhurimi i kuotave dhe qëndrimi i saj në këtë biznes është e paqartë pasi shkolla ka një tjetër pronar, babanë e saj, Thanas Gegën.

Kristi Gega: Kush je ti, që vjen? Ti tani do të dalësh!

Gazetarja: Do të dal se nuk më intereson të rri me ty!

Kristi Gega: Ec, vazhdo po të them!

Lidhur me këtë situatë, avokati Arben Llangozi shprehet se në kushtet kur pranuesi i dhurimit është mosmirënjohës ndaj dhuruesit, ky mund t’i drejtohet gjykatës me padi civile për prishjen e kontratës së dhurimit dhe çdo gjë kthehet në vendin e vet. /Emisioni “Stop”


Shtuar 4.06.2025 21:58