Tymi i dendur nga zjarret pyjore që po digjen në tri provinca të Kanadasë ka përfshirë rreth një të tretën e territorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njoftuan meteorologët amerikanë. Megjithëse shumica e tymit ndodhet në shtresat e sipërme të atmosferës, rajone të caktuara po përballen me një përkeqësim serioz të cilësisë së ajrit.
Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik, zona më të prekura janë rajoni i Nju Inglendit, disa pjesë të shtetit të Nju Jorkut dhe shtetet e Mesdheut amerikan. Në Minesota, dje u regjistruan nivele të rrezikshme të ndotjes, ndërsa mjegulla toksike shtrihet nga Dakotat, përgjatë luginës së Ohajos, deri në verilindje të SHBA-ve dhe në jug deri në Xhorxhia.
“Shumica e tymit është lart në atmosferë, kështu që shumë zona nuk po ndiejnë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e ajrit,” tha meteorologu Mark Chenard. “Por në Nju Jork dhe Connecticut situata është më e rënduar, pasi tymi është më i trashë dhe më pranë sipërfaqes.”
Që nga fillimi i majit, zjarret masive në Kanada nuk janë ndalur. Vetëm në pasditen e djeshme u regjistruan mbi 212 vatra aktive, nga të cilat gjysma janë ende të pakontrolluara. Deri më tani, janë djegur mbi 2 milionë hektarë tokë pyjore, sipas Qendrës Kanadeze të Zjarreve Pyjore.
Ekspertët paralajmërojnë për rreziqe serioze shëndetësore. Profesori Yang Liu nga Universiteti Emory në Atlanta theksoi se tymi është i dëmshëm për të gjithë, por veçanërisht për foshnjat, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike. “Tymi ndikon në çdo aspekt të jetës së përditshme. Situata është e rëndë,” tha ai.
Një nga pikat me ndotjen më të lartë sot në mëngjes ishte qyteti Williamstown në Massachusetts, pranë kufirit me Vermontin dhe Nju Jorkun, ku u regjistrua një nivel ndotjeje “shumë i pashëndetshëm” prej 228, sipas platformës globale IQAir. Për krahasim, një vlerë nën 50 konsiderohet “e mirë”, ndërsa çdo nivel mbi 100 klasifikohet si “i pashëndetshëm” dhe mbi 200 si “shumë i pashëndetshëm”.