Këshilli i Ministrave ka miratuar sot ndryshime te reja në ligjin për kazinotë, duke vendosur dhe një kriter tjetër shumë të rëndësishëm për të gjitha, subjektet që janë të interesuara në biznesin e lojërave të fatit.
Në kreun III, të vendimit nr.690, datë 2.9.2020 të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e kritereve shtesë për aplikantët që konkurrojnë për t’u pajisur me licencë për kategorinë “kazino”, janë bërë këto shtesa:
a) Pas shkronjës “ë”, të pikës 1, shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
f) “Të jetë i certifikuar ose i klasifikuar në përputhje me përcaktimet e pikës 2, të nenit 35, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë.”.
b) Pas shkronjës “e”, të pikës 2, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
ë) “Certifikatë klasifikimi me 5 yje ose vërtetim nga institucioni përgjegjës që konfirmon se struktura akomoduese përmbush kriteret e përgjithshme për t’u klasifikuar si hotel me 5 yje.”
Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkaur Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Ministria e Financave. Ndërkohë, një nga kriteret më të rëndësishme të ligjit është shuma e kapitalit të kompanisë, 1.2 miliardë lekë të reja.
Autoriteti i autorizuar për pajisjen e subjekteve me licencë për kategorinë “Kazino” është Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe siç parashikohet, subjekti juridik, vendas ose i huaj, për t’u pajisur me këtë lloj licence duhet të përmbushë disa kritere minimale, të cilat janë si në vijim:
-Të jetë shoqëri aksionare me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të ketë si objekt veprimtarie lojërat e fatit, sipas llojit të lojës që kërkohet;
-Të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit; shuma e kapitalit duhet të jetë jo më pak se 1 200 000 000 (një miliard e dyqind milionë) lekë, ETJ.