SPAK mbyll hetimet për aferën CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA, merr të pandehur Metën dhe Kryemadhin

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar  (SPAK), ka mbyllur hetimet për dosjen e lobimit në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.

SPAK ka thirrur sot në 12:30 Monika Kryemadhin, e cila do të merret në pyetje në cilësinë e të pandehurës.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, janë marrë të pandehur.

SPAK do t’u komunikojë sot Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës zyrtarisht 3 akuzat, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie.

Ndërkohë Kryemadhi ndodhet në masën detyrim paraqitjeje, ndërsa Meta në arrest me burg, i arrestuar më 21 tetor 2024.

Ish-çifti Meta-Kryemadhi, të cilët u divorcuan pak kohë më parë, janë hetuar për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim apo fshehje pasurie.

Brenda pak ditësh, SPAK pritet të dërgojë dosjen në gjykatë, ku në seancë paraprake GJKKO do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim, do të kthehet për plotësim, apo do të pushohet.


Shtuar 27.05.2025 11:43