Ditën e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Kjo është paraqitja e disatë e kryedemokratit në SPAK, lidhur me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Sikurse dhe në ditët e tjera kur Berisha është paraqitur në SPAK, demokratët, mbështetës të tij, janë mbledhur para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.
Herën e fundit që Berisha u paraqit në SPAK, ai tha për gazetarët se ardhja e tij aty shërben si dëshmi e “keqpërdorimit të drejtësisë nga kryeministri Edi Rama për luftuar kundërshtarë politikë”.
Kryedemokrati tha se çështja kundër tij, është dëshmi e standardit të dyfishtë të SPAK që sipas tij sulmon opozitën pa asnjë fakt.
Ai tha se Prokuroria e Posaçme nga ana tjetër, po mbulon vjedhjet dhe korrupsionin qeveritar.