“Rezultat që turpëron edhe Putinin”- Jozefina Topalli akuzon PS për manipulim të votave të diasporës: Këto shifra nuk i arrin as inteligjenca artificiale

Drejtuesja politike e PD për diasporën, Jozefina Topalli, ka bërë një postim në rrjete sociale, përmes të cilit akuzon Partinë Socialiste për manipulim të votave të diasporës.

Topalli shkruan se rezultati që PS mori në zgjedhjet e 11 Majit nga vota e diasporës, është një rezultat që sipas saj “turpëron edhe Putinin”.

“Putini i arrin zakonisht me 75-80%, por e lë ca vend për “demokraci të kontrolluar”, shkruan Topalli.

Kujtojmë se numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit nga jashtë për subjektet zgjedhore përfundoi mbrëmjen e sotme për 12 qarqet e vendit.

Nga numërimi total i votave rezulton se Partia Socialiste kryeson me 121,815 vota, ose 61.11%.

PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore renditet e dyta me 46,954 vota, ose 23,56%.

“Kjo është vetëm një nga minierat e fletëve të diasporës, ku pushteti gdhend 90%. Në vitin 2025, një rezultat i tillë ndodh vetëm në Korenë e Veriut. Është rezultat që turpëron edhe Putinin.

Putini i arrin zakonisht me 75-80%, por e lë ca vend për “demokraci të kontrolluar.

Këtë rezultat nuk e arrin as inteligjenca artificiale me algoritëm manipulimi maksimal”


Shtuar 18.05.2025 23:32

Tags: ,