Inskenoi vdekjen e tij, Davide Pecorelli ekstradohet nga Italia në Shqipëri

Shtetasi italian Davide Pecorelli, është ekstraduar këtë të martë nga Italia drejt Shqipërisë, ku u mor në dorëzim në Aeroportin e Rinasit nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB) dhe po dërgohet në Institucionet e Ekzekutimeve të Veprave Penale, për të vuajtur masën e sigurisë.

Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, ndaj Pecorellit është caktuar masa “arrest në burg”, pasi ai dyshohet për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë “mashtrimi”, “dhunimi i varreve”, “shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

47-vjeçari në janar të vitit 2021, inskenoi ngjarjen e vrasjes së tij dhe djegies së trupit vepër për të cilën u dënua nga gjykata e Shkodrës në prill të vitit 2024 me 4 vite burgim.

Të gjitha shkallët e drejtësisë italiane vendosën ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku kishte marrë dënimin, ndërsa vetë Pecorelli kishte deklaruar disa ditë më herët në Itali se nuk do të apelonte vendimin për ekstradim.


Shtuar 8.05.2025 11:47