E bija i akuzohet për vrasjen e të dashurit/ Flet e ëma: Jam e shokuar, e gjitha është sajesë, ja e vërteta

Prokuroria e Korçës, ka zbardhur pas 7 vitesh vrasjen e Antonio Karafilit, i cili u gjet i mbytur me çarçaf në Voskopojë më 14 Qershor të vitit 2018, i varur në një pishë.

Sipas organit të akuzës, nga provat biologjike ka rezultuar se autorë të krimit kanë qenë Kejsi Spaillari dhe Rexhep Vathi, në atë kohë, 17-vjeçe dhe 65-vjeç, të cilët e kanë mbytur me çarçaf dhe më pas e kanë varur në pishë për ta inskenuar si vetëvrasje.

Kejsi Spaillari, ishte e dashura e Antonio Karafilit, teksa dyshohet se motivi i krimit ka qenë një lidhje paralele që ajo kishte krijuar me viktimën dhe të moshuarin Rexhep Vathi.

Urdhër-arresti është lëshuar vetëm ndaj Kejsi Spaillarit, e cila pas krimit është larguar drejt Kanadasë, ku ka krijuar edhe familje.

Ndërkohë, i moshuari Rexhep Vathi, i ka dhënë fund jetës tragjikisht në gusht të vitit 2024.

Enkeljana Spaillari, e ëma e Kejsi Spaillarit, në një prononcim për mediat, i mohon akuzat e Prokurorisë ndaj vajzës së saj, të cilat i quan të gjitha një sajesë.

Sipas saj, vajza po i merret nën akuzë pa prova konkrete dhe kërkon drejtësi.

Sa i përket gjurmëve biologjike në çarçaf, ajo pohon se e bija ndodhej në vendngjarje pas vetëvrasjes dhe kishte ndihmuar në uljen e trupit nga pema, së bashku me persona të tjerë.

E ëma e Kejsit, thotë se vajza e saj dhe viktima kishin patur një grindje para ngjarjes së rëndë.

“Asgjë nuk është e vërtetë. Çdo gjë është sajesë, është e stisur e tëra nga fillimi. Ka qenë komplet ndryshe e tëra historia. Jam e shokuar”. 

Thuhet se vajza juaj ka patur një lidhje paralele me Antonio Karafilin dhe Gjergj Vathin?

“Nuk e njoh fare personin në fjalë, e dëgjoj për herë të parë. Këtë person e kam dëgjuar vetëm nga historia që ka dalë. Jam vërtet shumë e shokuar, sepse si ka mundësi që pa patur asnjë gjë konkrete të shpiket kjo histori. Si ka mundësi që në kaq vite Policia nuk është në gjendje të zbulojë një krim kaq… dhe të bazohet vetëm në fjalë dhe sajesa, pa patur asnjë fakt”.

Thuhet se janë gjetur të dhëna biologjike në çarçaf me të cilin është varur viktima?

“Normal që do gjenden, sepse Kejsi ishte ajo që kur e gjeti bashkë me të ëmën, e kanë mbajtur dhe e kanë prerë çarçafin bashkë me të ëmën edhe unë e kam prekur me dorë çarçafin në momentin kur e kanë sjellë djalin në shtëpi. Ne e dimë si familje si histori dhe nuk kishte arsye pse të ndodhete kjo apo Kejsi ta bënte këtë gjë. S’kishte fare arsye.

Kanë nisur një luftë si me mullinjtë e erës. Çdo gjë shpifet dhe besohet. Nuk e besoj si ka mundësi që të merret çdo fjalë e thënë, pa asnjë bazë të merret e mirëqënë. Të bësh një person vrasës pa pasur asnjë provë”.

Ju keni folur gjatë këtyre viteve me vajzën tuaj,. çfarë ju ka thënë?

“Atë që ju ka thënë të gjithëve. Kejsi ishte në Korçë, kishin pasur një grindje, ishin ngjitur në Voskopojë, kishin dashur të zbrisnin, ai nuk kishte dashur pas grindjes dhe Kejsi e kishte lënë aty, kishte pritur, ai nuk kishte dashur dhe kishte zbritur, ku kishte marrë të ëmën dhe të vëllain. Kur vajtën e kanë gjetur. Dhe ato që thanë atë natë, që Kejsi më mori mua në telefon duke ulërirë, pasi e kishin gjetur, ata nuk thanë që ishte i shtrirë, ashtu siç ata pretendojnë. Më tha që e ngritëm peshë që premë çarçafin, jo që e gjetëm me këmbë në tokë. Ësshtë e tëra një sajesë, mbas një muaji e gjysmë filluan e nisën të gjithë këtë”. 

Aludohet që në vendin e ngjarjes të ketë qenë edhe Gjergji Vathi?

“Nuk e kam idenë e kësaj, që mund të ketë qenë në momentin që e gjetën JO, ata s’e kanë pranuar, pastaj se çfarë kanë sajuar gjatë rrugës, nuk e di. Unë kërkoj vetëm drejtësi, të bëjnë punën e tyre të zbulohet kjo, sepse është mëkat që të bësh vrasës një person që nuk është”.


Shtuar 29.04.2025 12:47