Si bën fushatë nga qelia? Ilir Meta: Dërgoj deri në 150 letra në ditë

Ilir Meta, kandidat në listën e hapur të opozitës për Qarkun e Tiranës, tregoi në një intervistë për A2 CNN se, edhe pse ndodhet në burg prej tetorit 2024, fushata e tij po ecën me ritme shumë të mira.

Meta tha se çdo ditë dërgon nga 80 deri në 150 letra, duke komunikuar me bashkëpunëtorë, anëtarë të Partisë së Lirisë, si dhe me miq të tij të hershëm. Ai synon që në javën e fundit të fushatës të arrijë deri në 200 letra në ditë.

Kreu i Partisë së Lirisë është i bindur se forca e tij politike do të fitojë 12 mandate më 11 maj. Sipas tij, 4 mandate janë të sigurta nga listat e mbyllura, ndërsa 8 të tjera do të vijnë nga listat e hapura.

Meta krahasoi arrestimin e tij me atë të Aldo Moros në Itali, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për kapjen e procesit zgjedhor. Ai tha gjithashtu se koalicioni “Shqipëria Madhështore” ka si qëllim të marrë 84 mandate për të ndryshuar kodin zgjedhor dhe për të hequr listat e mbyllura.

“Po garojmë kundër një shteti mafioz të kapur nga Edi Rama, por ai po shkon drejt një katastrofe,” deklaroi Meta.


Shtuar 26.04.2025 23:15