Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me mbështetësit e Partisë Socialiste në qytetin bregdetar të Durrësit, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
I mbështetur nga një turmë simpatizantësh, Rama u shpreh i sigurt në fitoren e radhës, duke ironizuar opozitën me fjalët: “Plasi syri i keq. Jam shumë i sigurt kur shikoj këto pamje se mandati i 9-të u mor. Sa më shumë na marrin inat, aq më shumë zhyten vetë.”
Kryeministri iu rikthye me humor kritikëve që komentojnë pjesëmarrjen e lartë të grave në strukturat e PS-së, duke theksuar transformimin që ka ndodhur në parti.
“Kur nisëm këtë rrugë, PS e Durrësit dominohej nga burrat, kishte shumë pak gra në organizim,” tha Rama. “Tani jo vetëm që janë pjesë e rëndësishme, por një grua është në krye të drejtimit të qytetit. Durrësi është burrë, por drejtohet nga një grua – kjo është forca e re.”