Teksa kanë kaluar më shumë se 12 orë, ende nuk ka një komunikatë nga Policia për sherrin masiv të regjistruar mbrëmjen e djeshme në ambientet e një lokali në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë, e cila degradoi deri në plagosjen me armë zjarri të një personi.
Burime për mediat bëjnë me dije se në sherr janë përfshirë 7 persona, të cilët kanë qenë të ulur së bashku në të njëjtëm tavolinë në lokal.
Mësohet se njëri-prej tyre u ka dhënë dorën të gjithë personave në tavolinë, ndërsa personi tjetër ka refuzuar duke e ofenduar.
Pas këtij momenti, ata janë përfshirë në një konflikt fizik me njëri-tjetrin, duke u goditur edhe me karrige.
Gjatë sherrit është qëlluar edhe me armë zjarri, ku ka mbetur i plagosur një person, ndërsa personat e përfshirë në sherr më pas janë larguar me 4 makina me shpejtësi të gjithë nga vendi i ngjarjes për t’i shpëtuar Policisë.
Në momentin kur blutë e kryeqytetit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar një gëzhojë, si dhe njollat e gjakut brenda lokalit.
Po ashtu, kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një pistoletë, e cila ishte lënë brenda në lokal nga autori, pasi dyshohet që gjatë përleshjes fizike i ka rënë në tokë.
Arma është dërguar ne laborator për t’u bërë ekspertiza, për të zbuluar ADN dhe shenjat e gishtave.
I plagosuri dyshohet se është transportuar në një spital privat. Dyshohet se shkaku i nisjes së konfliktit ka qenë dhënia e parave me fajde.
Deri më tani, nuk ka asnjë informacion rreth identitetit dhe moshës së të plagosurit, apo të personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje.