Belind Këlliçi: Angazhimi i PD, minimum jetik 200 euro dhe rritje pensionesh brenda 100 ditëve

Kandidati i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka vijuar takimet me qytetarët, këtë herë në Degën 9 në Tiranë, ku theksoi se programi i PD synon ndërhyrje konkrete në jetën e përditshme të shqiptarëve dhe jo thjesht premtime politike.

Në një postim në Facebook, Këlliçi shkruan se qytetarët shfaqën “mbështetje të palëkundur, por edhe pakënaqësi të thellë” për mënyrën se si, sipas tij, janë injoruar prej 12 vitesh nga qeveria aktuale.

“Është ulëritëse të konstatosh se pensionistët, pas një jete kontributesh, jetojnë sot me pensione mizerabël”, u shpreh ai, duke nënvizuar se një nga angazhimet kryesore të PD është vendosja e minimumit jetik prej 200 eurosh dhe rritja e pensioneve me 20% brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.

Këlliçi shtoi se nuk mund të ketë dinjitet pa siguri ekonomike dhe se PD, është e vendosur t’i japë fund “neglizhencës ndaj shtresave më të pambrojtura të shoqërisë”.

“Një shtet që meriton të quhet i tillë kujdeset për njerëzit, jo vetëm me fjalë, por me vepra”, shkroi ai, duke e mbyllur me mesazhin se kjo rrugë do të përshkohet “së bashku me qytetarët, për qytetarët”.


Shtuar 15.04.2025 11:12