Modelja australiane Lucy Markowitz, e cila u bë e njohur për publikun e gjerë me pjesëmarrjen e saj në “Australia’s Next Top Model” dhe pushtoi pasarelat e shtëpive të mëdha si Armani dhe Versace , u nda nga jeta në moshën 27-vjeçare.
Lajmi për vdekjen e saj u konfirmua të enjten nga agjencia e modelingut që e përfaqësonte, Elite Model Management, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit, 27-vjeçarja po përballej me një sëmundje të rrallë të trurit. Disa orë para se të shpallej vdekja e saj, një histori u postua në llogarinë e saj zyrtare në “Instagram”, ku zbulohej se ajo ishte në gjendje kritike.
“Lucy ishte një dritë që shkëlqente. Modelimi ishte një nga ëndrrat e saj dhe ne jemi thellësisht të nderuar që i kemi qëndruar pranë në këtë rrugëtim. Ajo solli hir, forcë dhe bukuri në punën e saj. Por mbi të gjitha, ajo solli veten, ngrohtësinë, të qeshurën dhe shkëlqimin e saj”, thuhet në deklaratën e Elite.
Lucy Markowitz, doli për herë të parë në sytë e publikut si adoleshente, duke marrë pjesë në sezonin e nëntë të “Australia’s Next Top Model” në 2015, ku u bë finaliste, duke humbur në finale nga Brittany Beatty.
Prania e saj në garë ishte e mjaftueshme për t’i hapur rrugën një karriere ndërkombëtare mbresëlënëse.
Modelja ka ecur në pasarelat ndërkombëtare dhe ka bashkëpunuar me shtëpitë kryesore të modës si; Versace, Oscar de la Renta, Bulgari, Givenchy dhe Dolce & Gabbana, ndërsa ka luajtur edhe në fushatat e Victoria Beckham.
Në të njëjtën kohë, ajo zbukuroi faqet e revistave si Marie Claire dhe shumë edicione ndërkombëtare të Vogue.
Tre javë më parë, Lucy Markowitz, njoftoi përmes “Instagramit” se do t’i nënshtrohej një operacioni për një keqformim arteriovenoz (AVM) në trurin e saj, një gjendje e rrallë vaskulare që mund të shkaktojë dëmtim të trurit dhe goditje në tru.
Siç tregoi ajo, keqformimi ishte në madhësinë e një topi golfi dhe i kishte shkaktuar vazhdimisht asaj kriza epileptike. Ajo kishte luftuar vetë për më shumë se katër vjet.
Pas lajmit për vdekjen e saj, kolegë të tronditur dhe personalitete të modës nxituan për t’i dhënë lamtumirën publike publikisht.
Mes tyre është edhe Donatella Versace, e cila pak javë më parë dha dorëheqjen nga posti i saj si drejtore artistike e shtëpisë Versace pas 28 vitesh.
“Më vjen shumë keq kur dëgjoj lajmet për Lucy Markowitz. Pusho në paqe, vajzë e bukur”, shkroi ajo.